Egnatia për të thyer tabunë e startit të Superiores, me Vllazninë duan të përsëritin… Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2025 | 22:59

Egnatia për të thyer tabunë e startit të Superiores, me Vllazninë duan të përsëritin… Dinamon

Kampionët e Shqipërisë e nisin sezonin e ri me një sfidë që shkon përtej fushës së lojës: prishjen e një zakoni të keq që i ka shoqëruar prej vitesh. Statistika flet qartë; në katër sezonet e fundit në Superiore, Egnatia ka fituar vetëm një herë në javën e parë.

egnatia

Bilanci është i zymtë: tri humbje radhazi, fillimisht ndaj Kukësit, më pas Partizanit dhe Skënderbeut, para se të vinte fitorja e vetme ndaj Dinamos një vit më parë. Në pamje të parë, triumfi i vitit të kaluar ndaj bluve duket sikur kishte thyer mallkimin. Por, kur e sheh me sy kritik, mbetet një problem i përsëritur, sepse tre humbje në katër vite nuk janë një nisje që i shkon për shtat një skuadre që sot mban mbi supe kurorën e kampionit.

Kjo nuk është çështje cilësie, sepse Egnatia ka treguar se ka potencial për të mposhtur këdo. Është më tepër çështje mentaliteti dhe përqendrimi në momentin kur bie bilbili i parë i kampionatit. Një skuadër që kërkon të mbrojë fronin nuk mund ta lejojë luksin e nisjeve të vakëta, sepse në një kampionat të ashpër si Kategoria Superiore çdo hap fals kushton shtrenjtë.

RRUGËTIM I VËSHTIRË – Rruga e Egnatias në elitë nuk ka qenë e shtruar me petale trëndafili. Pas ngjitjes së shumëpritur në Superiore në verën e vitit 2021, skuadra debutoi me humbje ndaj Kukësit. Ishte një ndeshje ku emocionet dhe mungesa e eksperiencës peshonin më shumë se forca e kundërshtarit. Sezoni i dytë nuk solli ndryshim, një përballje e ashpër me Partizanin u mbyll me humbje 2-1, duke konfirmuar se ndeshjet hapëse ishin ende terren i rrëshqitshëm për rrogozhinasit.

Edhe viti i tretë nuk solli asnjë përmirësim. Humbja 0-1 ndaj Skënderbeut para tifozëve vendas u përjetua si një sinjal alarmi, ndonëse ekipi i Edlir Tetovës e mbylli sezonin me titullin historik kampion. U desh kjo skuadër më e pjekur dhe e kompletuar për ta thyer më në fund mallkimin e startit, me një fitore të pastër 2-0 ndaj Dinamos në kryeqytet. Por një shkëndijë e vetme nuk mjafton për të ndryshuar prirjen e përgjithshme. Rruga nga një debutues i pasigurt te një kampion i pathyeshëm ka qenë e gjatë, por fillimi i çdo sezoni duket ende si një gur prove i vështirë për ta.

RËNDËSIA E FILLIMIT – Në një kampionat të gjatë dhe të ashpër si Kategoria Superiore, çdo pikë vlen, por pikët e para kanë një ndikim të veçantë psikologjik. Një nisje e mirë ngre moralin, ndez entuziazmin e tifozëve dhe dërgon një mesazh të qartë për rivalët. E kundërta ndodh kur nis me humbje, krijohen dyshime të panevojshme, presioni rritet dhe skuadra shpesh shpenzon energji duke “shuar zjarre” që nuk duhej të ishin ndezur kurrë. Për një skuadër që synon të mbrojë titullin kampion, është jetike të mos nisë me hap fals. Nisja e fortë është më shumë se tre pikë, është deklaratë force.

TABU QË DUHET THYER – Egnatia e këtij sezoni ka investuar për të qenë edhe më e fortë. Me lojtarë të rinj të kualitetit, me bërthamën kampione të ruajtur dhe me një grup që tashmë e di çfarë do të thotë të fitosh, nuk ka më justifikime. Trajneri dhe drejtuesit janë të ndërgjegjshëm se kampionët duhet të hyjnë në fushë që në javën e parë me të njëjtin mentalitet si në finalet e majit. Kalendari i ka rezervuar rivalin e vitit të kaluar, Vllazninë, përballje që duhet ta luajnë në transfertë.

Rrogozhinasit e dinë mirë: titulli nuk fitohet në javën e parë, por shpesh humbet pikërisht aty ku askush nuk e pret. Kampionët e Shqipërisë janë në provë që nga sekonda e parë dhe prova është shumë e qartë, të thyejnë një tabu që i ka ndjekur për vite me radhë dhe të tregojnë se nuk ka mallkime që mbajnë përballë një ekipi të uritur për fitore.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL