Egnatia, në Shkodër për “provën e forcës”. Të gjithë duan të mundin kampionët
Egnatia hyn në sezonin e ri me një status krejt tjetër nga një vit më parë. Nga skuadër që surprizoi gjithë Superioren duke marrë titullin, tani është kthyer në ekipin që të gjithë duan të mundin. Në katër sezonet e fundit, rrogozhinasit kanë fituar vetëm një ndeshje hapëse në kampionat.

Ky bilanc nuk përputhet me rolin e kampionit dhe nuk lë hapësirë për hapa fals që në javën e parë. Fillimi i sezonit nuk është vetëm për pikë: është një provë karakteri dhe një sinjal për rivalët. Merkatoja e verës tregoi qartë filozofinë e klubit. Pavarësisht disa largimeve të rëndësishme, boshti i ekipit kampion është ruajtur dhe përforcuar vetëm aty ku ishte e nevojshme. Në vend të ndryshimeve të mëdha, është zgjedhur rruga e konsolidimit.
PROVA E FORCËS – Të fitosh titullin si surprizë është një histori, ta mbrosh atë është një sfidë krejt tjetër. Çdo kundërshtar do të kërkojë ta ndalë kampionin që në fillim, duke e parë ndeshjen me Egnatian si një moment të veçantë. Ky presion nuk është thjesht sportiv, por edhe psikologjik: për çdo barazim ose humbje, reagimi do të jetë më i madh se kurrë.
Nisja e fortë është mënyra më e sigurt për të treguar se ekipi nuk ka humbur asgjë nga uria e sezonit të kaluar dhe se është gati të udhëheqë përsëri garën. Sezoni i kaluar përfundoi me një shfaqje të paharrueshme. Në finalen e kampionatit, Egnatia mposhti Vllazninë me shifrat e thella 4-0, një rezultat që konfirmoi epërsinë teknike dhe shpirtin e garës së skuadrës rrogozhinase. Ky triumf jo vetëm solli mbrojtjen e titullit, por vendosi edhe një standard të ri: kampioni nuk fiton thjesht, ai bind. Ky kujtim e bën nisjen e sezonit të ri edhe më të ngarkuar me pritshmëri, sepse çdo rival e di tashmë se çfarë Egnatia është në gjendje të bëjë.
MESAZHI – Fitoret në javët e para nuk japin tituj, por japin sinjale. Një sukses bindës në hapje do të tregonte se Egnatia është po ajo skuadër e pathyeshme, e organizuar dhe e etur për të fituar. Rivalët do ta kuptonin menjëherë se gara për kreun nuk do të jetë e lehtë dhe se kampioni nuk ka ndërmend të zbresë nga froni. Për klubin, një start i tillë nuk është thjesht objektiv teknik: është pjesë e strategjisë për të ndërtuar autoritetin që i takon kampionit. Në Rrogozhinë, entuziazmi është i madh, por edhe pritshmëritë janë të larta.
Pas dy titujve radhazi, tifozët kërkojnë të shohin menjëherë të njëjtin intensitet dhe të njëjtin shpirt gare. Një nisje pozitive do të ngrohë akoma më shumë atmosferën dhe do të forcojë lidhjen mes skuadrës dhe tribunës. Çdo fitore në fillim të sezonit ka peshën e saj, por për një ekip kampion, ajo kthehet në një mesazh të qartë. kampioni është këtu dhe është gati të mbrojë fronin.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













