Egnatia në fushë për të thyer “mallkimin” Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2025 | 22:13

Egnatia në fushë për të thyer “mallkimin” Europë

Egnatia ndodhet vetëm 90 minuta larg nga ajo që do të ishte suksesi më i madh në historinë e saj të re europiane. Me një fitore 2-0 ndaj Dinamo Minsk në ndeshjen e parë në Bjellorusi, rrogozhinasit kanë marrë një avantazh të artë për të siguruar kalimin në raundin e tretë të Ligës së Konferencës.

egnatia

Por më shumë se një kualifikim, kjo ndeshje përfaqëson një mundësi për të thyer një “mallkim” që e ka ndjekur Egnatian që në debutimin në arenën ndërkombëtare. Në dy vitet e fundit, kampionët e Shqipërisë kanë flirtuar disa herë me kalimin e një turi europian, por gjithnjë kanë dështuar në momentin vendimtar.

Fakti që edhe pse kanë bërë ndeshje të mira nuk kanë arritur të kualifikohen, ka krijuar idenë e një barriere psikologjike që duket se më në fund është gati të shembet. Tani, më shumë se kurrë më parë, Egnatia ka gjithçka në dorë për të kthyer faqen dhe për të lënë pas zhgënjimet.

Fitorja në Bjellorusi nuk ishte rastësi, por produkt i një skuadre të ndërtuar me kujdes, me elementë të përvojës dhe cilësie, që e dinë çfarë kërkojnë në fushë. Trajneri Edlir Tetova dhe grupi i tij kanë ruajtur qetësinë dhe nuk po e shohin sfidën e kthimit si një formalitet, por si një ndeshje që duhet luajtur me të njëjtin intensitet dhe përqendrim si ajo e parë. Sepse, vetëm kështu “mallkimi” mund të thyhet.

PANORAMASPORT.AL