Egnatia kërkon reagim, me Skënderbeun luhet “froni” dhe 100 milionët
Egnatia është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë këtë fundjavë me skuadrën e Skënderbeut në shtëpinë e tyre. Një përballje që për ekipin e drejtuar nga Edlir Tetova kërkohet të bëhet kthesa në rezultate, sepse javët e fundit kanë qenë një zhgënjim më vete ku kanë vënë në rrezik vendin e parë dhe 100 milionët që akordohen nga federata për fituesen e kampionatit pa llogaritur fazën finale.

Ndeshja me korçarët shihet si një mundësi e mirë për të mbyllur përfundimisht hesapet me kryesimin, ndaj në Rrogozhinë nuk duan t’u ikë nga duart kjo mundësi. Vllaznia dhe Dinamo janë vetëm tri pikë larg dhe një tjetër hap fals do të bënte që vendi i parë të vihej në diskutim.
RËNIA – Që nga koha kur kampionët siguruan matematikisht edhe “Final 4” pësuan një rënie, duke humbur motivimin dhe pasur shumë luhatje rrugës. Rrogozhinasit kanë qenë shumë larg ekipit që arriti madje të bënte edhe një nisje fantastike të këtij viti, duke sigluar disa fitore radhazi. Mjafton të thuhet që humbasin prej tre ndeshjesh radhazi, ndërsa në shtëpinë e tyre nuk fitojnë prej katër takimesh.
Edhe pse në Rrogozhinë nuk e pranojnë, skuadra ndodhet në një krizë dhe përgjumja ka ardhur pikërisht në momentin kur kërkohet të jenë në maksimumin e mundshëm, sepse pas dy takimesh nis edhe faza finale ku ndahen verdiktet e sezonit. Për këtë arsye, ndeshja me Skënderbeun shihet si tepër e rëndësishme në kampin rrogozhinas, ku çdo hap fals është i ndaluar.
BILANCI – Në bilancin e këtij sezoni, rrogozhinasit qëndrojnë më mirë sesa Skënderbeu në duelin direkt, ku kanë sigluar dy fitore përkundrejt një humbjeje. Në fakt, humbja ndaj Skënderbeut fazën e tretë ishte ajo që i dha fund serisë pozitive të kampionëve me nëntë fitore radhazi në të gjitha kompeticionet. Ishte në fakt edhe humbja e parë për vitin 2025 dhe që në njëfarë mënyre zbriti me këmbë në tokë ekipin e drejtuar nga Edlir Tetova. Tani mbetet për t’u parë sesi do të shkojë ky 90-minutësh, ku ashtu si Egnatia do pikët për kreun, korçarët i duan ato për të arritur mbijetesën.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













