Egnatia dominon edhe në ajër, e prish vetëm Aleksi
Në futbollin modern, ku shpejtësia, teknika dhe taktikat janë në qendër të vëmendjes, Egnatia e Rrogozhinës ka gjetur mënyrën e saj unike për të spikatur: dominimi fizik. Me një skuadër ku shumica e lojtarëve janë shtatlartë, Egnatia është kthyer në një nga ekipet më të forta në duelet ajrore dhe mbrojtjen e zonës, duke e kthyer këtë karakteristikë fizike në një armë të fuqishme taktike.

Kjo përbërje nuk është rastësi, po të analizosh edhe karakteristikat e shtatlartësisë së ekipit kampion. Më shumë ngjan si strategji, ku duket se Tetova ka ditur që të përshtasë mirë dhe thyejë njëkohësisht disa rregulla, ku shtatlartët mbi të gjitha mund të luajnë edhe futboll shtruar, siç ka bërë Egnatia këto dy sezonet e fundit.
MUNGOJNË “XHUXHËT” – Me pak fjalë, duket se rrogozhinasit kanë “alergji” nga lojtarët shtatshkurtër. Të gjithë janë mbi 180 centimetra, me dy përjashtime të vogla. Në fakt, një, duke qenë se Arbin Zejnullai nuk do të jetë më pjesë e skuadrës kampione. Ai, së bashku me Albano Aleksin janë të gjatë 177 centimetra, e përkthyer ndryshe edhe si “xhuxhët” në kampin rrogozhinas. Me largimin e tij, Aleksi është i vetmi që ndodhet nën kufirin e 180 centimetrave në skuadrën e tij. Sakaq, dy më të gjatët janë portieri Mario Dajsinani dhe mbrojtësi Zamig Alijev, të gjatë 193 centimetra të gjatë. Të tjerët më pas vijojnë me një gjatësi më të shkurtër, për të shkuar deri te Leo Melo me një gjatësi prej 180 centimetrash.
DREJTUES SHTATSHKURTËR – Nëse për lojtarët duket se është kriter gjatësia, diferencën në këtë rast e bëjnë drejtuesit. Thuajse të gjithë ata nuk njihen për shtat të gjatë, përkundrazi. Duke nisur nga presidenti Agim Demrozi apo trajnerët Edlir Tetova me Julian Brahja. Me pak fjalë, ata që kanë në dorë të zgjedhin ekipin që duan të kenë në përbërje, janë shtatshkurtër, por që preferojnë të gjatët, ashtu siç i kërkon sot futbolli modern.
PARADOKSI – Në fakt, rrogozhinasit janë një skuadër që këto dy sezone e ka bazuar lojën e saj në qarkullimin e topit, një karakteristikë kjo e skuadrave jo shumë të gjata në aspektin fizik. Duket se kampionët po thyejnë në këtë aspekt edhe një tabu që vetëm lojtarët shtatshkurtër janë më të aftë të luajnë me pasime dhe poshtë. Kjo ndoshta lidhet edhe me faktin që lojtarët e Egnatias, edhe pse në pamje të parë kanë të fortë aspektin fizik, kanë cilësi edhe në lojën shtruar me top. Me pak fjalë, Egnatia po dëshmon se ndonjëherë, lartësia nuk është vetëm fizike, por edhe në objektivat dhe ëndrrat që ndjek. Jo më kot janë ata që dominojnë në futbollin shqiptar që prej dy sezonesh radhazi, ku edhe kanë nisur një cikël fitues.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













