Egnatia do ish-sulmuesin e Teutës, kampionët hedhin sytë nga talentet në Kategorinë Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2025 | 9:20

Egnatia do ish-sulmuesin e Teutës, kampionët hedhin sytë nga talentet në Kategorinë Superiore

Krahas punës për të kryer rinovimet e kontratave me lojtarët para ndeshjeve të Europës, drejtuesit e Egnatias po përpiqen që të përforcojnë skuadrën edhe me lojtarë të tjerë që do të vijnë nga merkato.

rrok toma

Lista paraprake mund të jetë e gjatë, por për momentin janë duke kaluar në “sitë” disa emra dhe më pas të përzgjidhen ata që shihen si më të dobishëm për projektin e skuadrës kampione. Synimi është ndërthurja e lojtarëve me eksperiencë dhe më të rinjve, ndaj në këtë merkato nuk pritet të ketë limite, mjafton të përforcohet grupi. Siç dihet, deri më tani është afruar vetëm sulmuesi Kastriot Selmani, që do të vijë në Rrogozhinë pas aventurës me skuadrën e Dritës në Kosovë.

TOMA – Burime të besueshme të “Panorama Sport” pohojnë se një objektiv i kësaj merkatoje është edhe ish-sulmuesi i Teutës, Rrok Toma. 21-vjeçari ishte pjesë e durrsakëve sezonin që lamë pas, duke ardhur huazim nga ekipi i Albinolefes në Itali dhe me mbylljen e edicionit është rikthyer sërish në Apenine. Mirëpo, gjasat janë që të ketë një rikthim në Shqipëri, tanimë vetëm pak kilometra larg Durrësit, me destinacion Rrogozhinën. Kampionët e kanë ndjekur me kujdes gjatë këtij sezoni dhe duket se kanë mbetur të kënaqur nga cilësitë e tij. Burimet pohojnë se drejtuesit rrogozhinas kanë nisur kontaktet me homologët e tyre të Albinolefes dhe mbetet për t’u parë nëse do të arrihet në një emërues të përbashkët për ta afruar në skuadrën e tyre.

Toma është një futbollist që luan thuajse në të gjithë repartin e avancuar, duke i bërë punë Edlir Tetovës. Këtë sezon ai ka luajtur në 32 ndeshje me Teutën me plot 2172 minuta në këmbët e tij. Ai ka shënuar edhe dy gola, një madje ndaj Egnatias. Ajo që e intrigon jo pak ekipin e Egnatias është edhe mosha e tij e re dhe nëse do të ketë një afrim përfundimtar, jo si huazim, do të shihej si një “aset” edhe për të ardhmen. Toma aktualisht është edhe pjesë e Shpresave të Shqipërisë, në një kohë që ka luajtur në të gjitha ekipet e moshave në vendin tonë, duke u parë si një nga elementët më premtues.

GRUPI AKTUAL – Nëse do të ketë afrime, ashtu siç edhe pritet, ato duhet të pasohen me largime. Për këtë arsye, nga grupi aktual janë disa lojtarë që rrezikojnë të largohen nga ekipi këtë verë, ku më së shumti rrezikojnë ata që janë aktivizuar më pak. Për momentin, të gjithë futbollistëve është duke iu bërë një “skaner” rreth asaj që treguan këtë sezon që lamë pas. Ata që do të ngelin në klasë, do të largohen nga ekipi.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL