Editoriali i kampionatit/ Përse është “e parëndësishme” ndeshja Partizani-Sportklub Tirana
Nga BESNIK DIZDARI

Ose më qartë: “Përse nuk ka më rëndësi ndeshja Partizani-Sportklub Tirana”.
Sepse spektatorët apo futbolldashësit e saj, thuajse e kanë braktisur atë. Kështu, në ndeshjen e kësaj jave midis tyre në fushën pritëse të Partizanit, ishin a nuk ishin nja 2000 spektatorë. Kjo ngaqë në këtë shekull XXI të këtyre dy skuadrave historike të Shqipërisë, të cilat së bashku kanë fituar 45 Kampionate Kombëtare, jo larg ato ranë deri dhe në Kategorinë e Dytë e të Tretë.
Ndërkaq, nëse do të ndalnim te spektatorët e sotëm të tyre, në 99.99 përqind i përkasin thjesht brezit më të ri. Ndonëse dikur këto dy skuadra kanë pasur spektatorë apo “tifozë” të pandashëm të tre brezave, madje edhe të tri shtresave sociale të popullsisë: qytetarë të rangut të parë, të dytë apo të tretë, por dhe nga ata të fshatit. Dhe mbi të gjitha, plot intelektualë, të cilët sot thuajse nuk denjojnë më të vijnë në stadium. E, kjo, ka të bëjë pra, edhe me rënien në tanësi të interesit për Kampionatin e Shqipërisë. Mendoj se nuk gaboj kur them se ajo çka ka mbetur si mbështetje për këto dy skuadra, është jo pak edhe “vepër” e televizionit apo shtypit, që sapo mbërrin kjo ndeshje e ashtuquajtur “derbi”, thuajse ushtojnë! Ndonëse ky “derbi” i këtushëm, nuk ka asgjë të përbashkët me ato të shteteve të tjera.
Kësisoj, lodhen kot. Nuk duket kund në horizont rritja e peshës së kësaj ndeshjeje, e cila këtë javë u zhvillua midis dy synimeve tejet të largëta me njëri-tjetrin: Partizani me gjasë për titull, ndërsa SK Tirana për mosrënie.
Këtu kemi mbërritur. Dhe është e çuditshme se si mund të ndodhte që tifozët, ndoshta më tepër ata të skuadrës pritëse, patën një inat kaq rrëmbyes që i çoi te sulmi frontal mbi fushën e blertë! E, kamerat që regjistruan një pushtim të paparë të fushës, përmes një vrapimi të egër e spektakolar në të blertën e terrenit, që nuk ishte pa ndoshta asnjëherë kësisoj në Shqipëri. U duk sikur tribunat me aq pak spektatorë, u boshatisën dhe të gjithë ishin derdhur në euforinë e inatit në fushën e blertë.
Ne të shtypit e ata të televizioneve, mendoj se nuk duhet t’ia lejojmë vetes që një javë rresht të buçasim për këtë ndeshje, kur tashmë vlerat e saj janë krejt të zakonshme dhe nuk kanë asnjë epërsi mbi ndeshjet e tjera. Ta do mendja se ajo që na duhet sot, është që të merremi me vlerat në tanësi të kampionatit, vlera këto që sa fort që kanë rënë…
Duke iu kthyer paksa historisë, kujtoj se ndeshja e parë për Kampionatin midis Partizanit dhe SK Tiranës (asokohe 17 Nëndori) është zhvilluar më 30 mars 1947 dhe ka përfunduar 4-2 për Partizanin. Ku ky Partizan i sapothemeluar, kishte rrëmbyer jo pak, por plot 7 lojtarë të skuadrës së Tiranës: Zyber Lisi, Abdulla Stërmasi, Sulejman (Bule) Vathi, Xhavid Demneri, Besim Fagu, Hivzi Sakiqi, Tafil Baçi! Do të thosha, me në krye Lisin, i vetmi që vinte nga Sportklub Tirana e famshme e Paraluftës. Kësisoj, ai ishte një Partizan i themeluar nga lojtarët e Tiranës. Këtu thuhet se ka lindur “inati” futbollistik midis këtyre dy skuadrave, çka me vite sigurisht që ka ardhur duke u tjetërsuar, më mbas duke u sunduar nga vlerat e vërteta të futbollit. Ndonëse prapë, jo rrallë, kjo edhe për shkak të rrëmbimit të vazhdueshëm të yjeve tiranase prej Partizanit, madje deri andej kah vitet ’70, ku shpesh “fanatizmi” futbollistik midis tyre, mund të shfaqej ashtu siç ndodhi kësaj jave.
Mirëpo, sot është diçka krejt tjetër në vazhdimësinë apo jo të këtij “inati” klubist.
Problemi pra është te ky kampionat i cili, tash 11 vjet, pa mëshirë me vetëm 10 skuadra, ka kaluar në një varfëri qytetare që nuk shqetëson askënd prej mungesës të skuadrave të qyteteve më futbollistikë. Çka fillon nga Kavaja e zbret deri në Vlorë, niset nga Gjirokastra e ngjitet në Berat, Fier e Lushnje. Dhe të krenohesh me këtë Kampionat, është e pafalshme.
Kështu “Sportklub Tirana” – ky është emri historik i saj në themelim, e të vjen keq që dikush i thotë “Tirona”, deri në studiot televizive – për shkak të ndërtimit fatkeq të këtij Kampionati 2024-2025 me vetëm 10 skuadra, tash ajo duhet quajtur si skuadra që zë vendin e parafundit. Siç u quajt edhe atëherë, më 1974, kur nuk u rendit e 9-ta, por e 13-ta, e megjithatë, siç e kam treguar disa herë, njerëzit e mençëm të cilët e kishin ndërtuar kampionatin jo me 10, por bukur me 14 skuadra, e kaluan jo në Kategorinë e Dytë skuadrën e kryeqytetit, por e ruajtën po në të Parën, duke e shpëtuar përmes ndeshjeve të kualifikimit, të atij që sot u quaka “play out”.
Dhe vetvetiu të lind një pyetje e thjeshtë: nëse bie Skënderbeu i Korçës, Sportklub Tirana e Tiranës dhe Teuta e Durrësit që zënë tri vendet e fundit, a vërtet do ta pranojë këtë dështim të pashembullt Federata Shqiptare e Futbollit?
Ja që për një çast po mendojmë se do ta pranojë. E pra? E pra, nëse ndodh kjo, atëherë pragkampionatit 2025-2026 ia vlen t’i paraprijë një revoltë qytetare futbolldashëse e fuqishme ndaj këtij (ç)organizimi. Më saktë, ia vlen një lloj revolucioni që do ta shkatërronte këtë (ç)organizim. Kështu do të mbërrihej te kampionatet tradicionale të Shqipërisë, jo me vetëm 10 skuadra, por më e pakta me 14 skuadra, siç ka ndodhur në plot 27 edicione. Pa harruar 17 kampionate të tjerë me nga 12 skuadra pjesëmarrëse apo me nja 10 kampionate me 16 e më tej skuadra pjesëmarrëse. Dhe e dimë fort mirë se prej këtyre kampionateve me mbi 12, 14 a 16 skuadra të qyteteve të mirëfillta tradicionale, futbolli shqiptar ka pasur veç të mira.
Në këtë kontekst, 12 javë para mbarimit, renditja e Kampionatit 2024-2025, na thotë se janë paracaktuar 4 skuadrat e atij që jo shqip u thirrka “final four”. Tash na thoni: për çka do të luajnë në këto 12 javë këto katër skuadra të vetësiguruara? Të paktën të luanin për pjesëmarrjen në ndeshjet e tyre të të rinjve të talentuar që kanë në “akademitë” e tyre. Pse jo, të luanin për eskperimentime e mënyra të moderne jashtë ankthit të kreut të renditjes, që është paracaktuar qysh 12 javë para fundit. Katërshja e ka mbërritur shumë para kohe përfshirjen në të. Ta do mendja se tash ajo luan, si të thuash, “për punë qejfi”. Kemi mbërritur deri aty, sa që nuk paska aspak rëndësi që Vllaznia fiton 3-0 me Bylis të Ballshit; që Egnatia fiton 2-1 në Elbasan apo që Partizani e Dinamo humbën nga dy pikë secila. Kjo është logjika e së vërtetës. Ngaqë AF Elbasani i ndodhur 11 pikë larg skuadrës së vendit të katërt, nuk mund të ketë thuajse asnjë mundësi të arrijë katërshen e titullit kampion. Madje me vetëm 5 pikët që ka mbi Teutën e vendit të 8-të, sepse naiviteti i këtij (ç)organizimi parashikon mundësinë e rënies edhe të skuadrës që zë vendin e 8-të. Çka do të thotë se Shqipëria mund të vendosë “rekordin botëror të rënieve” nga kampionati i rangut të parë të një shteti: 30 përqind të skuadrave të flakura tej!?
E pra, nëse vlerat e një kampionati qëndrojnë te fetishi i garës për rënie të mundshme të deri 30 përqind të skuadrave, atëherë ai ka marrë fund.
E kuptoj se do të “kërcënoni” duke më thënë: “E harrove garën për titullin midis katërshes?”. Nuk e harrova, jo. Ajo është gjëja më e papranueshme. Ia zhduk pikët skuadrës e cila në 36 javë është renditur e para! Siç ia zhduku asisoj 63 pikët Egnatias kampionatin që shkoi. E mandej katër skuadra me nga 0 pikë, do të luajnë në Tiranë, në fushën pritëse të Partizan/Dinamos, aty ku për shembull, po me naivitete, Vllaznia kujton se mund t’i mposhtë këta zotër të Tiranës së tyre. I thotë mendja se po luan në Shkodër.
Dhe për në fund. Mësova se FSHF qenka trimëruar aq fort, saqë kërcënon se mund ta mbyllë kampionatin nëse prej organeve përkatëse nuk arrihet siguria e ndeshjeve.
Ka të drejtë. Ndonëse para kësaj, më mirë do të ishte që të anulonte skemën e (ç)organizimit të kampionatit. Me siguri kjo do të mund ta bënte vërtet të rëndësishme edhe ndeshjen historike Partizani-SK Tirana.

PANORAMASPORT.AL













