“Edhe Bylisi ka nevojë për pikë”, Gvozdenoviç për akuzat për tolerime: Nuk kam asnjë gjë në dorë
Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ka folur sot në prag të ndeshjes ndaj Bylisit, duke theksuar se ekipi është i fokusuar për të bërë maksimumin ndaj ballshiotëve. Në fjalët e tij trajneri ka bërë të qartë se ekipi ka lënë pas zhgënjimin me Vorën, ndërsa nuk ka preferuar të komentojë zërat për tolerime në atë ndeshje të ekipit të tij apo në të gjithë kampionatin shqiptar në fundjavën që lamë pas.

“Në jemi në rregull shumica, sot kemi stërvitjen e fundit, pastaj nisja për në Ballsh. Deri tani jemi në rregull.
Patjetër ne jemi shumë të mërzitur, si gjithmonë kur ne humbim ndeshje. Tani kemi ndeshjen e radhës. Jemi mërzitur, por Vorën tani e kemi lënë mbrapa dhe përqendrohemi te ndeshja e radhës. Prapë një ndeshje shumë e fortë, një ndeshje ku edhe Bylisi, edhe ne, kemi nevojë për pikët. Jam i sigurt që nesër do të shikojmë një ndeshje të fortë dhe pastaj do të fitojë kush është më i miri në fushë.
Ne jemi të motivuar maksimalisht, sepse deri tani nuk kemi fituar asgjë. Patjetër kemi fituar një objektiv të madh si klub, por duam gjithmonë më shumë. Motivimi ynë është në nivelin 10, domethënë maksimumi, kjo është situata.
Zërat për tolerime? Unë nuk mund të komentoj shumë sepse nuk kam asnjë gjë në dorë dhe unë kam punë vetë. Domethënë nuk kam koment, vetëm do të flasim për ndeshjen e radhës dhe jam i sigurt që kampionati shqiptar është shumë i fortë, shumë interesant. Deri në javën e fundit çdo skuadër do të luftojë fort. Edhe ne. Ky është mesazhi im, do shikojmë punën tonë, do luftojmë fort në fushë pastaj prapë si do dalim e do bëjmë, do e tregojë fusha dhe do presim edhe pak”, ishin fjalët e Gvozdenoviç.
PANORAMASPORT.AL













