E thonë statistikat, zbuloni mbrojtjen më të keqe të “Final 4” deri tani
Dy golat e fundit të pësuar në humbjen 1-2 ndaj Skënderbeut kanë rikthyer edhe njëherë “alarmin” për mbrojtjen te shkodranët. Kjo, pasi 6 javë nga përfundimi i sezonit, sërish problematika më e madhe te kuqeblutë ngelet pësimi i golave.

Me dy golat e pësuar së fundmi, shkodranët janë ndëshkuar plot 34 herë këtë sezon në 30 ndeshje, duke bërë kështu më keq se të gjitha ekipet e “Final 4” deri më tani, ku Egnatia ka pësuar 23 gola, Dinamo ka pranuar 30 gola në portën e saj e ndërsa Partizani e ka nxjerrë topin nga rrjeta 28 herë pas 30 raundesh. Statistikat tregojnë se Vllaznia është ekipi i katërt më i ndëshkuar deri në këto momente të këtij sezoni.
9 herë kampionët e vendit qëndrojnë vetëm para 3 ekipeve të fundit të tabelës në pësimin e golave, ku Tirana është ndëshkuar 38 herë, Skënderbeu 39 herë dhe Teuta 40 herë, një statistikë që nuk i shkon aspak përshtat një ekipi pretendent si Vllaznia. Kujtojmë së shkodranët, përveç kampionatit, janë edhe në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ku përballë do të kenë Dinamon, në një duel vajtje-ardhje për të përcaktuar një nga finalistët e sezonit 2024-25.
PANORAMASPORT.AL













