“E dominoi Partizanin”, Rustemi zbërthen Flamurtarin: U ndërtua me bujë, por nuk ka lider në fushë
Arlind Rustemi ka një këndvështrim ndryshe për Flamurtarin, pavarësisht humbjes ndaj Partizanit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-futbollisti thekson se skuadra dha një reagim pozitiv pas disfatës së rëndë me Dinamon, duke zhvilluar, sipas tij, një nga paraqitjet më të mira të këtij sezoni në Superligë.

“Flamurtarin e ndjek më shumë për arsye zemre sesa profesioni. Ndeshjen me Partizanin e kam parë në autobus, gjatë udhëtimit për në Shkodër, e kam ndjekur në telefon. Për të qenë i sinqertë, Flamurtari më pëlqeu shumë për mënyrën si e zhvilloi takimin, sidomos duke pasur parasysh se vinte nga humbja 3-0 me Dinamon në shtëpi.
E dominoi Partizanin gjatë gjithë kohës, si në asnjë ndeshje tjetër deri tani. Krijoi shumë raste për shënim dhe nuk besoj se ka pasur ndonjë ndeshje tjetër në Superiore me kaq shumë raste të pastra goli. Është e vështirë të gjesh një skuadër që prodhon kaq shumë situata shënimi”, shprehet Rustemi.
Ai pranon se në takimet e mëparshme Flamurtari ka pasur probleme të theksuara në finalizim, duke mos arritur shpeshherë të shkojë deri në zonën e përfundimit të aksioneve, si dhe ka qenë shumë i varur nga Trashi. Sipas tij, në ndeshjen me Partizanin kjo gjë ndryshoi, pasi skuadra krijoi shumë më tepër dhe ishte më e larmishme në sulm.
PRESIONI DHE MUNGESA E LIDERIT – Sipas Arlind Rustemit, problemi kryesor i Flamurtarit është psikologjik. Ish-futbollisti thekson se skuadra vuan nga mungesa e personalitetit dhe e një lideri të mirëfilltë në fushë. “Presioni psikologjik po i penalizon lojtarët, të cilët në momentet kyçe nuk janë të qartë dhe nuk marrin vendimet e duhura për të shënuar. Kjo lidhet drejtpërdrejt me mungesën e personalitetit. Maksuti është një djalë i ri që po bën mirë, por në momente të vështira duhet një lojtar që ta marrë skuadrën për dore, të udhëheqë dhe të japë siguri. Për fat të keq, deri tani te Flamurtari nuk kam parë një lojtar të tillë. Nëse do të kishte një ose dy liderë në fushë, Flamurtari sot do të kishte disa pikë më shumë”.
Rustemi ndalet edhe te merkatoja, duke theksuar se pritshmëritë e mëdha të krijuara në fillim të sezonit kanë rënduar psikologjikisht skuadrën. “Skuadra u ndërtua me shumë bujë, me merkato të fortë dhe shpenzime të mëdha. E gjithë kjo krijoi një presion të jashtëzakonshëm. Flamurtari nuk është rastësisht në këtë situatë. Mendoj se nuk i ka lojtarët e duhur për objektivat që u shpallën në fillim të sezonit. Nuk i uroj dështimin, por deri në këto momente kjo është panorama”, shton ish-futbollisti.
ÇFARË PRET FLAMURTARIN NDAJ TEUTËS – Duke folur për sfidën e radhës ndaj Teutës, Rustemi i jep një “skauting” të detajuar Flamurtarit, bazuar edhe në përballjen e fundit të Teutës me Bylisin. “Ne u përballëm me Teutën një javë para ndeshjes sonë në Shkodër. Teuta është një ekip pragmatist, i ndërtuar shumë mirë si grup. Nuk ka lojtarë që bëjnë diferencën individualisht dhe, me bindje, nuk ka lojtarë më cilësorë se Flamurtari. Por ka futbollistë që vrapojnë, luftojnë dhe sakrifikojnë të gjithë së bashku.
Janë agresivë si ekip dhe luajnë në bllok. Kundër nesh pritën momentin e duhur dhe goditën. Nuk është skuadër që bën presion konstant apo kërkon golin me çdo kusht. Shumicën e ndeshjeve i ka fituar me diferencë minimale, sepse pika e tyre e fortë është mbrojtja, jo sulmi”, përfundon Rustemi.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













