Dyshja e sakrificës nga Kosova, kthehen në garanci për Partizanin
Partizani u pa në një moment të vështirë, më 9 nëntor. Do të luhej transferta e Teutës në Durrës dhe pjesë e skuadrës nuk ishin Marçelino Preka dhe Saliu Sembene, dy futbollistë të aktivizuar si titullarë. Andi Janjeva dhe Altin Bytyçi u aktivizuan bashkë nga minuta e parë. Dhe pse u pësuan dy gola, përmbysja e çmendur u realizua në pjesën e dytë.

Bytyçi madje asistoi golin e parë, që i hapi rrugë si fitores. Bytyçi dhe Janjeva janë dyshja nga Kosova, që kanë sakrifikuar te Partizani nga edicioni i kaluar. Për shkak të mungesës së hapësirave në qendër të mbrojtjes dhe mungesës së alternativave në krahët e repartit difensiv, janë parë ata si plotësuesit.
Janjeva për krahun e djathtë dhe Bytyçi për të majtin. Partizani ka funksionuar në këto pesë javë, pasi janë fituar tri dhe barazuar dy të tjera. Bie në sy se pas dy golave të pësuar ndaj Teutës, është shënuar dhe një nga Vllaznia. Asnjë nga pesë takimet e fundit nuk është humbur ndërkohë, ndërsa në tre të fundit është mbajtur e paprekur porta e Pano Qirkos.
Vetëm Partizani dhe Elbasani janë pa humbje në këtë periudhë, ndërsa asnjë ekip tjetër nuk ka grumbylluar 11 pikë sa të kuqtë. Egnatia dhe Elbasani ndjekin me nga 9 pikë. Këto statistika, të mbështetur me asistimin e Bytyçit ndaj Teutës dhe të Janjevës kundër Vllaznisë, tregojnë se Partizani ka funksionuar në prapavijë.
Bytyçi është 24 vjeç, ndërsa Janjeva 23 vjeç. Duke pasur parasysh Prekën dhe Sembenen, mund të vërehet se Partizani i beson të rinjve që janë rritur duke kontribuar për Partizanin. Të kuqtë nuk kanë në përbërje një qendërmbrojtës mbi 24 vjeç. Me Oltijon Kërnajën mund të vërehet se reparti i prapavijës po funksionon.
PANORAMASPORT.AL













