Dy rikthime tek Egnatia, afrimet “ndezin” me të parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2025 | 18:32

Dy rikthime tek Egnatia, afrimet “ndezin” me të parën

Në ndeshjen e fundit ndaj Elbasanit, Egnatia u prek nga një gjendje gripale që la jashtë dy prej titullarëve kryesorë si Kasa dhe Fernando, ndërsa të tjerë luajtën madje edhe me temperaturë për të mos lënë ekipin në baltë.

EGNATIA

Po t’i shtojmë këtu edhe Fangajn, që u detyrua të bëjë një javë stop për arsye kartonësh, numri i tyre që munguan në këtë ndeshje shkoi në tre. Mirëpo, edhe pa ta në fushë, rrogozhinasit ia dolën të merrnin fitoren, edhe pse jo me shkëlqimin e javëve të fundit. Në ndeshjen me Partizanin që do të luhet nesër në Rrogozhinë, situata duket më e përmirësuar, edhe pse grupi sërish nuk do të jetë i plotë.

Gjasat janë që si Fernando dhe Kasa të zbresin në fushë që nga minuta e parë ndaj të kuqve, ku do të jenë një shtysë më shumë në repartin ofensiv. Megjithatë, kësaj here mungon Xhemajli për arsye kartonësh, por që gjithsesi nuk duket një shqetësim i madh për Tetovën, sepse është kthyer në gjendjen e tij optimale i sapoafruari, Eljon Sota. Edhe mbrojtësit e tjerë janë në formë optimale dhe qendra e saj duket tanimë e konsoliduar.

GUINDO – Në përgjithësi afrimet e janarit janë integruar menjëherë me Egnatian. Fernando fitoi shumë shpejt vendin e titullarit, ashtu si edhe Dajsinani në portë. Në kahun tjetër, Sota bëri debutimin e tij nga minuta e parë me Egnatian dhe ishte ndër më të mirët në fushë përballë Elbasanit. Tani pritet vetëm rikthimi në ditët e tij më të mira i sulmuesit Saliou Guindo, pasi është i vetmi që nuk po lë ende shenjë. Tetova po përpiqet t’i japë sa më shumë minuta në dispozicion 28-vjeçarit, për ta ingranuar pak e nga pak në fushën e lojës, teksa deri më tani është aktivizuar në dy ndeshjet e kampionatit me Elbasanin dhe Bylisin me 25 minuta në total.

Sigurisht, me kaq pak hapësirë e ka pasur të pamundur që të shkojë deri te goli. Megjithatë, ndaj Partizanit shihet si një armë plus në majën e sulmit, ku mund të marrë më shumë minuta në dispozicion dhe të rrisë rrezikshmërinë e kampionëve në ofensivë. Ndaj të kuqve, futbollisti nga Mali duket se ka një shënjestër të mirë, sepse e i ka shënuar pesë gola gjatë përballjeve me ta. Kur ka qenë pjesë e Laçit i ka shënuar tri herë kryeqytetasve, ndërsa dy gola të tjerë u ka bërë kur ka qenë pjesë e Bylisit.

Mbetet për t’u parë nëse këtë trend pozitiv personal ndaj të kuqve do ta vazhdojë edhe si pjesë e Egnatias apo do ta lërë për një ndeshje tjetër debutimin e tij me gol me kampionët. Gjithsesi, në këtë pikë të kampionatit dhe me rivalët direkt, Egnatia ka nevojë sa më shpejt për golat e ish- ”Këpucës së Artë” të Superiores.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL