Dy muaj me sukses, Kërnaja në rrugë të mbarë te Partizani
Oltijon Kërnaja deri tani ia ka dalë që të drejtojë me dinjitet ekipin e parë. Partizani e emëroi zyrtarisht më 7 tetor dhe në derbin e së dielës u mbushën dy muaj të plotë. Po ashtu është treguar i suksesshëm, pasi janë luajtur nëntë ndeshje duke matur forcat me çdo rival të Superiores.

NDRYSHIMI- Partizani ishte i tronditur pas humbjes me Tiranën. Tre gola të pësuar nga bardheblutë dhe Bylisi, si dhe katër me Vllazninë kishin krijuar atmosferën më të keqe të mundshme. Ndryshimi erdhi që në debutimin e Kërnajës.
Fitore 0 me 1 në transfertë ndaj Flamurtarit, ndërsa në total me trajnerin aktual janë gjashtë nga nëntë ndeshje me portën e paprekur. Partizani ka fituar stabilitetin në prapavijë, që i mungonte prej kohësh. Kërnaja e ka mesataren e pikëve 1.77 për ndeshje. Duke qenë tetë gola të shënuar vetëm pesë të pësuar për 16 pikë të grumbulluara, tregon se është në rrugën e duhur.
FITORE- Janë katër ndeshje të fituara në drejtimin e Kërnajës. Duke pasur parasysh rivalitetin në kampionatin shqiptar, shikohet si statistikë pozitive. E shoqëruar me faktin se regjistrohet vetëm një humbje, ajo ndaj Dinamos në “Elbasan Arena”, bën që te Partizani të ketë fituar një siguri për të qenë kompetitiv. Në të njëjtën periudhë, Elbasani dhe Dinamo ndodhen po ashtu në kuotën e një humbje.
SHËNUES- Partizani ishte vetëm me Isgandarlin në listën e golashënuesve, ndërsa me ardhjen e Kërnajës gjërat po ndryshojnë. Dhe pse Partizani nuk po shquhet për fitore të thella, është pozitiv fakti që me Tiranën shënuan Xhuliano Skuka dhe Rouen Hjumen. Emra që nuk e patën provuar golin në kampionat deri në javën e 14-të.
Diego Kontreras dhe Rrok Toma janë dy lojtarë të tjerë, që kanë shtuar emrin në listë më parë. Kontreras shikohet edhe si zbulimi i Kërnajës për Superioren. Sulmuesi kolumbian ndodhej tek ekipi B, derisa Kërnaja i dha mundësinë e debutimit. Më pas Kontreras ia shpërbleu me dopietë ndaj Teutës dhe golin e vetëm të takimit përballë Bylisit.
PANORAMASPORT.AL













