Dy lojtarë në dyshim, Josa përgatit Bylisin për duelin e mbijetesës me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2026 | 13:11

Dy lojtarë në dyshim, Josa përgatit Bylisin për duelin e mbijetesës me Flamurtarin

Disfata me Tiranën ka lënë shije jo të mirë në Ballsh, madje duket se në klub kanë shfaqur pakënaqësi edhe për gjykimin, ku gol erdhi nga një moment shumë i dyshimtë dhe që vendosi ndeshjen. Dueli me Tiranën ka qenë mjaft deçiziv për Bylisin dhe duket se tashmë edhe gara për mbijetesë është hapur. Bylisi e ka përqendruar vëmendjen te ndeshja e radhës me Flamurtarin, një tjetër rival direkt.

josa

Ndonëse ka pasur shira ditët e fundit, madje me Laçin terreni u rëndua, ndaj Tiranës falë ndërhyrjes dhe angazhimit të klubit gjatë dhe në fund të sfidës, terreni është në kushte normale dhe lojtarët janë stërvitur pas sfidës me bardhebutë në aneksin pas portës, ndërsa dje në kompleksin “Bylis”, me bar artificial. Nisur edhe nga ngjeshja e kalendarit, Bylisi sfidën e radhës e luan me Flamurtarin, ndaj edhe ballshiotët, kanë vijuar që të qëndrojnë në grumbullim dhe një pjesë e skuadrës që u aktivizuan më pak, apo, ata që ishin të grumbulluar ndaj Tiranës dhe nuk luajtën fare u stërvitën sipas një programi të posaçëm nga Josa dhe stafi i tij. Stafi i Bylisit dje ka qenë me grup të plotë, ndërsa për ndeshjen e radhës, që luhet në fundjavë ka sërish problem me lojtarët.

BRUNO & KAMARA – Bylisit nuk po i ndahen dëmtimet në javët e fundit. Kamara me Laçin la fushën duke çaluar, ndoshta edhe për shkak terreni, ndërsa ndaj Tiranës ishte braziliani Bruno, që në pjesën e parë la takimin. Klubi është duke u marrë enkas me ekzaminimi e dy lojtarëve dhe shpreson shumë që ata të jenë në sfidën e radhës me Flamurtarin, që është duel mjaft delikat për mallakastriotët. Alternativat nuk mungojnë, por duke ditur formën dhe kualitetin e dy lojtarëve, prania e tyre në këtë fazë determinante të garës do të ishte e domosdoshme.

Megjithatë, në Ballsh alternativat nuk mungojnë dhe duket se stafi do të bëjë zgjedhjet më të mira ndaj vlonjatëve. Menjëherë pas sfidës me Tiranën në Ballsh, ballshiotët kanë vijuar grumbullimin, ndërsa ditën e diel, mallakastriotët duhet që të kërkojnë rikthimin te fitorja, për të mos ndërlikuar edhe më pozitat në renditje, nisur edhe nga ecuria e rivalëve në javët e fundit… Këto javë janë delikate për mallakastriotët, që në jetë fazë të garës duhet të veprojnë njësoj si vjet, duke grumbulluar sa më shumë pikë, brenda dhe jashtë fushës…

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL