Dy herë “non grata”, Hamiti gabon rëndë. Lezhjanin tashmë e presin “pushimet”
Takimi i fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë mes Partizanit dhe Elbasanit, shkaktoi shumë polemika, teksa në fund të 120 minutave ishin verdheblutë ata që u kualifikuan për në gjysmëfinale falë fitores 1-3 duke përmbysur kështu disfatën e ndeshjes së parë në shtëpi 0-1. Ndeshja, e cila ishte shumë e luftuar, në fund solli shumë polemika rreth gjykimit të arbitrit kryesor Eldorian Hamiti.

EPISODET – Ky i fundit akordoi një penallti në favor të Elbasanit në minutën e 115-të, gjë që solli reagimin e fortë të vendasve që me anë të një reagimi kërkoi ndëshkimin e Hamitit ndërsa e shpalli atë “Non Grata”. Megjithatë, ky episod ishte vetëm i fundit i një serie vendimesh që mori Hamiti gjatë ndeshjes dhe që u kontestuan nga të dyja stafet respektive. Përveç faullave gjatë ndeshjes, Hamiti u shfaq konfuz në disa vendime teksa edhe në kampin e miqve pati polemika. Një ndër ato më flagrantët ishte ajo e minutës së 96-të, kur goditja në drejtim të portës e Fadairos u ndal nga një prekje e topit me dorë nga ana e Mustës, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për një penallti të mundshme në favor të Partizanit. Ndërkohë, në të 99-tën, episodi kaloi në kampin e Elbasanit, pasi ndërhyrja e David Fadairos me bërryl ndaj Kasës, u duk penallti. Hamiti nuk ndërhyri në këtë episod, po ashtu edhe VAR qëndroi në heshtje, teksa pamjet filmike tregojnë se goditja e lojtarit të Partizanit ishte në fytyrën e lojtarit të verdhebluve dhe se rasti sjell shumë dyshime për penallti. Në këtë formë, para se të mbërrinim te penalltia e akorduar për Elbasanin në minutën e 115-të, sërish ndeshja dukej se ishte komprementuar që më herët dhe se sfida dukej jashtë kontrollit të Hamitit, sidomos në kohën shtesë kur ndodhën edhe rastet më flagrante.
NUK ËSHTË HERA E PARË – Gjyqtari lezhjan nuk gabon për herë të parë në këtë sezon, teksa kujtojmë se edhe në sfidën e 14 shkurtit mes Teutës dhe Bylisit në kampionat, Hamiti gaboi shumë. Klubi ballshiot pas asaj ndeshje publikoi plot shtatë momente në të cilat Hamiti gaboi teksa ndër rastet më diskutuara janë tre ndërhyrjet e Blerim Kotobellit që kaloi pa u ndëshkuar me të verdhë, edhe pse ndonjë prej ndërhyrjeve mund të ishte fare mirë e kuqe, sidomos një ndërhyrje me takë, teksa për ironi të fatit ishte pikërisht mbrojtësi i Teutës që shënoi golin e fitores 2-1 duke zemëruar edhe më tepër kampin ballshiot. Te Bylisi gjithashtu patën pretendimi se goli i dënimit i shënuar nga Kotobelli, erdhi si pasojë e një faulli inekzistent të akorduar nga Hamiti. Klubi ballshiot arriti deri në pikën që e shpalli “Non Grata” arbitrin, duke hedhur dyshime se gabimet ishin tendencioze.
PEZULLIMI – Pas kësaj ndeshje, Hamiti nuk gjykoi në Superiore në dy javët e ardhshme dhe kaloi në Kategorinë e Parë për të ndarë drejtësinë në ndeshjen mes Apolonisë dhe Pogradecit, një sfidë që gjithashtu nuk kaloi pa polemika. Kështu, pas atyre vendimeve të kontestuara nga klubi ballshiot për sfidën me Teutën, Hamiti u rikthye në elitë pikërisht në ndeshjen mes Partizanit dhe Elbasanit e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, dhe sërish shkaktoi polemika të jashtëzakonshme duke marrë kështu vëmendjen kryesore në një sfidë ku gabimet e kryesore do të duhej të ishin minimale dhe sigurisht të mos vendosnin fatet e ndeshjes, pasi bëhet fjalë për një moment kyç të sezonit, ku skuadrat ndajnë përmbushjen e objektivave nga dështimi.
“NON GRATA E DYTË” – Duket se ky nuk është sezon më i mirë i mundshëm për Hamitin që pas këtyre episodeve të regjistruar në “Arenën e Demave”, mund të marrë një tjetër “pushim” nga Kategoria Superiore, teksa ka “koleksionuar” edhe për herë të dytë titullin “Non Grata”.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













