“Duhet të mësohemi pa Mandelën e Zabërgjën”, Daja flet para duelit kundër Jagiellonias: Ata që shkojnë në play-off e meritojnë
Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka theksuar se skuadra e tij duhet të fillojë të mësohet me mungesën e Peter Itodo Mandela dhe Baton Zabërgjës, të cilët i kanë dhënë lamtumirën ekipit dhe janë transferuar në Ukrainë. Në konferencën për mediat para duelit kundër polakëve të Jagiellonia për play-off të Ligës së Konferencës, ai insistoi se ekipi e meritonte të ishte në këtë pikë të turneut dhe do të bënte gjithçka për një rezultat pozitiv, që do të shtonte padyshim edhe mbështetjen në stadium për sfidën e kthimit.

Çfarë dini për Jagiellonian dhe si jeni përgatitur për këtë ndeshje?
Po filloj me një kujtesë afatshkurtër, që ka bërë shumë mirë vjet në Ligën e Konferencës, ku në dijeni time është eliminuar në çerekfinale. E di që është nga ekipet më të forta të Polonisë dhe bën një futboll të mirë gjatë fazës mbrojtëse dhe në sulm, kjo si meritë e trajnerit dhe stafit të tij. Kanë gjithmonë të pranishëm lojtarin e 12-të, publikun. Dihet se klubet që dalin deri në “play off”-in e Ligës së Konferencës janë ekipe që e meritojnë dhe një nga këto është edhe Jagiellonia. Pra, përballë do të kemi një ekip të fortë dhe për të bërë ne punën tonë, duhet të sakrifikojmë shumë.
Trajneri i Jagiellonias ka thënë se Dinamo ka një vlerësim të lartë, pasi jeni një ekip i fortë?
E falënderoj kolegun për fjalët që ka thënë. Edhe ne jemi një ekip me histori e traditë në futbollin shqiptar, por që rikthehemi në Europë pas disa vitesh mungesë. Kjo është ajo që ne në këto kompeticione kemi pak eksperiencë.
Më përpara keni humbur dy lojtarë të fortë (Mandela dhe Zabërgja), sa e dëmtojnë ekipin tuaj?
Janë dy lojtarë që kanë qenë golashënuesit tanë më të mirë në sezonin e fundit dhe futbollistë shumë të rëndësishëm për ne. Por, tashmë ne u kemi uruar suksese në klubin e ri ku kanë shkuar në Ukrainë. Ndonëse koha është e shkurtër, duhet të mësohemi se ata nuk janë më pjesë e skuadrës sonë. Së fundmi, kemi bërë një afrim në merkato, që nesër mund të jetë pjesë e lojës, si në start dhe gjatë zhvillimit të sfidës. Do të mundohemi që sa i përket pjesës së lojës, t’i zëvendësojmë sa më mirë të jetë e mundshme.
Në përgatitjet tuaja të mëparshme, si ju duket, nëse ka diçka ndryshe nga Hajduku dhe Jagiellonia?
Çdo tur ndryshon nga turi tjetër, ashtu siç ndeshjet ndryshojnë nga njëra-tjetra. Hajduku dhe Jagiellonia janë dy ekipe të forta, po se ku dallojnë do të preferoja që të mos i citoja, sepse nesër do ta kemi kundërshtar Jagiellonian.
Duke menduar edhe për të ardhmen, ndeshjen e kthimit, që ndaj Hajdukut në Shqipëri nuk pati shumë tifozë, si mendoni për duelin e kthimit do të ketë më shumë tifozë të Dinamos?
Të gjitha energjitë psikofizike ne i kemi te ndeshja e radhës, jo te e kthimit. Pasi nga kjo varet edhe si do të dalë rezultati. Nëse marrim një rezultat pozitiv, padyshim do të kemi më shumë tifozë. Në të kundërt, mund të ndodhë situatë tjetër.
PANORAMASPORT.AL













