Dueli Teuta-Skënderbeu, Gjoka: Betejë direkte, është shans për të mos u humbur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2025 | 10:38

Dueli Teuta-Skënderbeu, Gjoka: Betejë direkte, është shans për të mos u humbur

Skënderbeu ka mbyllur nga Durrësi përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat përballë Teutës.Ernest-Gjoka-1-1024x566Pas rezultateve pozitive korçarët kërkojnë vijimësinë dhe mbi të gjitha sigurimin e një rezultati të mirë në përballjen direkte me “Djemtë e detit”. Sa i përket këtij takimi, në Korçë janë të bindur se ekipi tashmë që ka gjetur rrugën e duhur për të dalë nga një periudhë e keqe dhe ka mundësinë që të bëjë më shumë dhe të marrë më të mirën.

Megjithatë, përtej rëndësisë së këtij takimi, trajneri Gjoka thekson se nuk duhet vetëm tani të jepet maksimumi, pasi Skënderbeu i tij ka që prej datës 1 janar që është duke menduar vetëm për maksimumin dhe puna e realizuar në këto kohë po jep frytet e veta.

PËRGATITJET – “Vijmë pas disa ditësh pushimi dhe tani duhet të rigjejmë sërish përqendrimin te ndeshja e radhës. Ka qenë një periudhë e mirë dhe duam të vazhdojmë me ato rezultate që kemi mundur të marrim së fundmi. Jemi të bindur se ekipi ka përqendrimin e duhur. Nuk është vetëm kjo ndeshje që na e jep përqendrimin, por është e gjithë periudha që ne kemi kaluar që nga janari e deri më sot. Kemi vendosur që të bëjmë më të mirën dhe shumëçka ka ndryshuar”.

E VËSHTIRË – “Ndaj Teutës mbetet një ndeshje e vështirë në transfertë kundër një rivali direkt. Ndaj, edhe për këtë ndeshje ka njëfarë rëndësie më shumë, pasi nuk duam të humbim ritmin dhe të shpërdorojmë një mundësi që do të na lëvizte nga vendi i fundit në renditje. Jemi të bindur se ekipi mund të bëjë mirë dhe djemtë kanë qenë të përqendruar gjatë gjithë kësaj periudhe. Nga ana tjetër, mund të them se përtej ecurisë, ndërprerja e kampionatit na ka shërbyer, pasi kemi pasur kohë në dispozicion për të punuar më shumë në rregullimin e manovrave dhe disa detajeve që nuk kanë qenë mirë në ndeshjet e fundit”.

RIKUPERIMET – “Gjithashtu, kemi pasur kohën që të rikuperojmë edhe futbollistët që kanë treguar probleme fizike dhe lodhje në ndeshjet e fundit. Por kjo është një periudhë që të gjitha ekipet e shfrytëzojnë për këtë gjë, ndaj nuk shoh favor për asnjë skuadër. Për fat të mirë kemi një grup të plotë në dispozicion dhe jam i bindur se do të dimë të sakrifikojmë dhe të japim maksimumin për të marrë atë që ne kërkojmë nga kjo ndeshje”, theksoi trajneri i Skënderbeut.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL