Do të ishte “bomba” e merkatos, Skënderbeu hedh sytë nga mesfushori që kërkon Superiorja
Prej disa ditësh në Korçë po përflitet emri i mesfushorit Uendi Mara, një prej talenteve të dalë nga Skënderbeu. 26- vjeçari thuhet se është rikthyer në fokusin e drejtuesve korçarë, pasi aktualisht është lojtar i lirë. Mara ishte pjesë e Skënderbeut përpara se të transferohej jashtë vendit, te Dinamo Batumi në Gjeorgji.

Pas përfundimit të aventurës në Gjeorgji, mesfushori me tipare sulmuese pritet të vendosë për vazhdimësinë e karrierës. Interesi për shërbimet e tij nuk mungon, pasi disa ekipe të Superiores kanë shprehur dëshirën për ta afruar. Megjithatë, në këtë garë është përfshirë edhe Skënderbeu, klubi ku lojtari u formua dhe hodhi hapat e parë në futbollin profesionist. Nga ana e klubit korçar nuk ka ende një konfirmim zyrtar, por burime pranë skuadrës nuk e përjashtojnë mundësinë e një rikthimi. Në ditët në vijim pritet të ketë më shumë qartësi rreth së ardhmes së Uendi Marës.
MIQËSORJA
Skënderbeu dhe Devolli u përballën në një ndeshje miqësore mes tyre, e cila shërbeu si një test i rëndësishëm për të dy ekipet në këtë fazë të sezonit. Takimi u karakterizua nga ritëm i lartë, luftë sportive dhe momente të mira loje nga të dyja palët, duke i dhënë stafit teknik mundësinë të vlerësojë gjendjen dhe alternativat e grupit. Nga ana e korçarëve, trajneri aktivizoi kryesisht futbollistë që kishin pasur pak minuta në ndeshjen e fundit zyrtare ndaj Luftëtarit, por edhe disa titullarë, në mënyrë që të krijohej një panoramë më e qartë mbi formën fizike dhe teknike të skuadrës.
Kjo përzierje e elementëve i dha Skënderbeut mundësinë të testojë skema dhe zgjidhje të ndryshme loje. Ndërkohë, Devolli u paraqit pothuajse me formacionin e tij më të plotë, duke treguar seriozitet maksimal edhe pse bëhej fjalë për një takim miqësor. Loja u zhvillua me intensitet dhe rivalitet të dukshëm, ku të dy ekipet shfaqën elementët më të mirë të filozofisë së tyre. Skënderbeu ishte skuadra që gjeti e para rrugën e rrjetës, duke kaluar në avantazh, por reagimi i Devollit ishte i menjëhershëm, me barazimin e shpejtë të shifrave. Në pjesën e dytë, korçarët arritën të shënojnë edhe golin e dytë, duke vulosur fitoren 2-1 në favor të tyre.
Edhe pse miqësore, kjo përballje i shërbeu stafeve teknike për të nxjerrë konkluzione të vlefshme në funksion të angazhimeve të ardhshme. Trajneri Ernest Gjoka e ndoqi takimin nga tribuna, duke vëzhguar me vëmendje paraqitjen e disa futbollistëve të afruar së fundmi, si dhe alternativat që ka në dispozicion për vazhdimësinë e sezonit. Nga ana tjetër, Devolli e konsideroi këtë takim si një hap të rëndësishëm në ndërtimin e skuadrës për këtë vit, pasi bëhej fjalë për miqësoren e parë sezonale. Objektivi i stafit është konsolidimi i grupit dhe rritja graduale e formës, ndërsa përballje të tilla shërbejnë për të ndërtuar harmoninë dhe besimin brenda ekipit.
PANORAMASPORT.AL













