Djeg eliminimi nga Kupa, Kotobelli: Duel i fortë, por Teuta reagon me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2025 | 10:44

Djeg eliminimi nga Kupa, Kotobelli: Duel i fortë, por Teuta reagon me Partizanin

Teuta rikthehet sot në fushë për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Partizanit në “Niko Dovana” në orën 16:30. Skuadra ka mbyllur përgatitjet për këtë ndeshje, që kërkohet të jetë si një ringritje pas dy humbje radhazi kundër Elbasanit, njëkohësisht eliminimit në Kupë.

KOTOBELLI

Trajnerit Martini pritet t’i rikthehen nga minuta e parë Jazxhi dhe Arifi, teksa e sigurtë është mungesa e Vilës për shkak dëmtimi si dhe e Llocit e Markut, të pezulluar për kartonë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni Blerim Kotobelli shprehet se ndaj Partizanit do të jetë një ndeshje e vështirë, por ai ka besim tek ekipi i tij se mund të marrë rezultat pozitiv kundër kryesuesve të Superiores.

Çfarë prisni nga ky duel i radhës kundër Partizanit?
Është e vështirë, e dimë. Sa i përket ndeshjes, duam të rikthehemi te rezultatet pozitive ndaj Partizanit, por çdo ndeshje është një histori më vete. E kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe jemi në gjendje pozitive. Po shohim dhe mendojmë pozitivisht për këtë ndeshje.

Ndjeni presion për të marrë pikë ndaj Partizanit?
Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion dhe në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin. Por jemi të qetë. Me presion shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Ne kemi motivimin e duhur dhe aspak presion. Jemi një grup i ri, kështu që kemi durim dhe besim, por jo presion.

Çfarë prisni të përmirësoni nga ndeshja me Elbasanin?
Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë performancën. Kemi lojtarë cilësorë, që duan me patjetër të korrin sukses, sidomos për t’i dhënë kënaqësi atij qyteti, që e do ekipin dhe kërkon të jetë gjithmonë lart në renditje.

Si ju duket Partizani si rival? Sa i fortë është?
Ne të gjithë jemi optimistë për sfidën e radhës. Për Partizanin mund të them se janë një ekip i mirë, nuk kanë dallime me të tjerët, pavarësisht situatave që po kalojnë përgjatë merkatos.

Ju kënaq edhe një pikë të dielën?
E thashë edhe më lart, ne do të luajmë për tri pikët, pastaj 90 minutat i kanë të tria rezultatet brenda. Është një ndeshje e vështirë dhe si një pikë apo tri pikë, kanë rëndësinë e vet.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL