DISIPLINA/ Martini detyrohet të paguajë, dënim i rëndë për drejtuesin e Elbasanit. Përjashtohet përgjithmonë një tifoz pas Partizani-Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2025 | 21:47

DISIPLINA/ Martini detyrohet të paguajë, dënim i rëndë për drejtuesin e Elbasanit. Përjashtohet përgjithmonë një tifoz pas Partizani-Vllaznia

Edi Martini do të kthehet të drejtojë q ënë ndeshjen e kësaj jave ndaj Teutës në kampionat. Këtë e ka konfirmuar sot Komisioni i Disiplinës në FSHF, i cili bëri të ditur se trajneri i shkodranëve ka paguar gjobën për pezullimin dyjavor duke shlyer gjysmën për të bërë të mundur kthimin e tij në pankinën e Vllaznisë.

disiplina

Ndërkohë, është ndëshkuar Partizani me një gjobë të majme për fishekzjarrët në stadium, ndërsa është dënuar me 10 ndeshje drejtori i Elbasanit, Elton Guranjaku, për kërcënime ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Ajo që binte në sy në dënimet e publikuara sot, ishte një i veçantë që i referohej një tifozi i cili është përjashtuar përgjithmonë nga stadiumet pas ngjarjeve në ndeshjen Partizani-Vllaznia.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 27.11.2025 

  1. FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, në bazë të nenit 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
  2. Zyrtari i AF Elbasani, Elton Guranjaku, për kërcënim ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/k të KDE dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
  3. Zyrtari i KF Laçi, Kleo Laska, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  4. AF Luftëtari, për mos respektimin e detyrimeve dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa gjatë zhvillimit të ndeshjes, në bazë të neneve 8/1 dhe 13/2/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
  5. Zyrtari i KF Naftëtari, Eldison Kapo, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  6. Zyrtari i KF Gramshi, Andrit Bici, për sulm ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/i të KDE, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  7. Lojtari i Adriatiku, Ernest Gjoka, për sulm ndaj zyrtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/i të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  8. Lojtari i KF Vora U-18, Ergi Lushaj, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  9. Zyrtari i KF Skënderbeu U-18, Entjel Bilo, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  10. Pranimin e kërkesës së zyrtarit të KF Vllaznia, Edi Martini, për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit, bazuar në nenin 75 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.
  11. Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Maliqi, Enrik Agolli, pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 34/1 të KDE, do të jetë 6 (gjashtë) muaj.

Vendimi nr. 13 i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 27.11.2025

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, korrespondencën me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë lidhur me aktet e dhunës në ndeshjen e kampionatit “Abissnet Superiore” FK Partizani-KF Vllaznia të zhvilluar më datë 23.11.2025 ora 16:30 në Kompleksin Partizani, ku janë konstatuar shkelje të parashikimeve ligjore të nenit 48 e vijues të Ligjit 79/2017 “Për Sportin” si dhe pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjet në tërësi duke u bazuar në nenin 59 e vijues të KDE,

VENDOSI:

1. Të ndalojë hyrjen në stadiumet e futbollit të Republikës së Shqipërisë ku zhvillohen veprimtari të organizuara nga FSHF për një periudhë të pakufizuar kohe shtetasit Artur Xhemal Alibashi.

2. Në bazë të Nenit 7 të KDE, udhëzohen të gjithë anëtarët e FSHF të cilët kanë nën administrim stadiume futbolli, të garantojnë zbatimin e këtij vendimi.

3. Një kopje e këtij vendimi t’i përcillet Policisë së Shtetit.

PANORAMASPORT/AL