“Dinamos i është ngrënë haku me Vllazninë”, kapiteni Dita kritikon Ilir Dajën: Shpresoj të ndryshojë, është e bezdisshme
Kapiteni i Dinamos, Bruno Dita, është rikthyer te ndeshja e “Final Four” ku Dinamo u mposht nga Vllaznia. Sipas Ditës, dinamovitët janë dëmtuar në atë ndeshje duke mos marrë çfarë merituan.

Kapiteni i Dinamos në të njëjtën kohë tregoi edhe kritikën e tij për trajnerin Ilir Daja.
Ndeshja në “Final Four” me Vllazninë? “Mendoj se na është hëngër pak haku, i thuhet në shqip-shqip, por që ky është futbolli shqiptar. Ishim dukshëm ekipi më lart në fushë se kundërshtari. Në futboll jo gjithmonë fiton më i miri”.
Si është marrëdhënia me Ilir Dajën? “Shumë mirë. Për ndonjë lojtar tjetër, këto punët e analizave të profesorit janë të bezdisshme. Edhe për mua janë të bezdisshme normalisht se zgjasin shumë me thënë të drejtën. Edhe profesorit ia kemi thënë, por që nuk do ndryshojë ndonjëherë. Mendoj se prej atyre analizave është edhe ky rezultati i Dinamos”.
Ka pasur mospërputhje me mendimet e trajnerit, por ke heshtur për hir të ekipit ose pozicionit tënd? “Po ka pasur”.
Çfarë kritike ke për trajnerin? ”Nuk di tani sepse profesori, kudo ku ka shkuar i është dukur dora. Mund të themi se mund ta ketë gabim në ndonjë gjë, por që del huq pastaj dhe është komplet çfarë thotë profesori. Pavarësisht se na duket e bezdisshme dhe e lodhshme. Vetëm kjo puna e analizave, që të mos zgjasë kaq shumë. Shpresoj ta gjejë ky vit i ri ndryshe(qesh)”, u shpreh Dita për “Top Cast”.

PANORAMASPORT.AL













