Dinamo sfidon surprizën, blutë kërkojnë rikthimin te fitorja në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2025 | 9:23

Dinamo sfidon surprizën, blutë kërkojnë rikthimin te fitorja në Superiore

Dinamo do të përballet sot me Vorën në një ndeshje mjaft delikate, e vlefshme për javën e tetë të Superiores.dinamoKëtë sezon, Dinamo ka pasur oshilacione megjithatë objektiv i mbetet titulli kampion, teksa nga ana tjetër, Vora ka surprizuar jo pak duke marrë fitore të rëndësishme dhe pikë që shtojnë optimizmin në skuadër.

Në “Arenën e Demave”, dy ekipet do të tentojnë të dalin me më të mirën, me Vorën që ndoshta e kënaq edhe një barazim, teksa Dinamo nga ana tjetër është më e detyruar për të dalë me pikë të plota për vetë situatën dhe objektivin që skuadra ka. në javën e fundit, Dinamo barazoi në transfertë ndaj Egnatias, ndërkohë që Vora i shkaktoi humbjen e parë në kampionat Elbasanit, duke treguar që është skuadër që di të hapë probleme.

NDESHJET DIREKTE- Vora dhe Dinamo janë përballur mes tyre 6 herë në Kategorinë e Parë, teksa “nëndetësja” dominon përballë Vorës, duke fituar 4 ndeshje, ndërsa dy të tjera janë fituar nga skuadra e Vorës. Dy ekipet, nuk kanë barazuar asnjëherë mes tyre, me një golaverazh 9-3 për skuadrën e Dinamos. Së fundmi, dy ekipet janë përballur në vitin 2021, ku në të dyja ndeshjet, Dinamo ka fituar në shtëpi 2-1 dhe në transfertë 1-2. Megjithatë, kohët kanë ndryshuar dhe Vora do të tentojë që të tregojë se nuk është më skuadra që mund të mundet.

STADIUMI- Ndeshja e sotme do të luhet në stadiumin “Arena e Demave”, duke qenë se Laçi nuk e ka lejuar Vorën që të luajë në stadiumin e saj. Shkak për këtë, është bërë ndeshja që Laçi do të ketë të shtunën në kampionat dhe për të mos rënduar terrenin, është vendosur që Vora të zhvendoset në Tiranë, pasi edhe fusha është artificiale dhe nuk ndikon në cilësinë e fushës.

KLASIFIKIMI- Aktualisht, Vora e sheh veten në vendin e gjashtë me 10 pikë, ndërkohë që Dinamo ka vetëm 1 pikë më shumë dhe renditet në vendin e pestë në klasifikim. Të dyja ekipet, kanë arritur të marrin nga 3 fitore këtë sezon, ndërkohë që Vora ka një humbje më shumë e Dinamo ka një barazim më shumë që deri në këtë pikë ka bërë diferencë.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL