Dinamo në shtëpi, blutë kërkojnë vazhdimësinë kundër Flamurtarit
Dinamo do të synojë që të marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat, për të konfirmuar se kriza ka kaluar dhe se gjithçka ka qenë vetëm një moment i vështirë. Kryeqytetasit do të luajnë në shtëpi kundër Flamurtarit, ndeshjen e javës së gjashtë të Superiores, teksa ditën e djeshme ka nisur zyrtarisht përgatitjet për këtë takim.

NDESHJA- Sfida ndaj Flamurtarit, do të luhet ditën e shtunë në orën 15:30 dhe është vendosur që të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ditët e fundit, te Dinamo kishin dilema sa i përket stadiumit se ku do të luhej, për shkak se diskutohej që fusha e “Selman Stërmasit” do të mbillej dhe diçka e tillë, e detyronte Dinamon të gjente stadium, megjithatë ky proces është shtyrë dhe me shumë gjasa, do të bëhet gjatë kohës kur Kombëtarja të luajë.
PËRGATITJET- Daja ka nisur dje përgatitjet për Flamurtarin, teksa Daja kishte vendosur që të linte pushim skuadrën një ditë pas ndeshjes, teksa dy ditë më parë, është stërvitur vetëm pjesa e futbollistëve që nuk luajtën në ndeshjen ndaj Tiranës, ose që u aktivizuan në pjesën e dytë. Ndërkohë, pasditen e djeshme, Daja i ka dhënë ngarkesë maksimale skuadrës duke menduar se do të ketë edhe 3 ditë të tjera në dispozicion për të mbyllur përgatitjet për këtë takim.
GJENDJA E SKUADRËS-Trajneri Daja i ka pasur të gjithë në dispozicion në stërvitjen e djeshme, ku i vetmi që është në dyshim për ndeshjen e radhës, është Gudiabi. Mesfushori që shënoi në derbi, pësoi një dëmtim dhe u largua nga fusha e lojës, teksa stafi teknik i Dinamos me shumë gjasa nuk do ta rrezikojë kundër Flamurtarit. Sakaq, me grupin është stërvitur sërish Saliu Guindo i cili duket se ka lënë pas problemet dhe pak nga pak, po arrin në formën që kishte dikur.
PRAPASKENAT ME STADIUMIN- Fillimisht, u mendua që ndeshja të luhej në “Air Albania” ose në “Elbasan Arena”, por FSHF nuk ka lejuar diçka të tillë për në kryeqytet. Të premten, do të luhet derbi dhe nëse të shtunën ose të dielën do të luhej një tjetër ndeshje, atëherë do të dëmtohej fusha e cila duhet të jetë gati për ndeshjet e tetorit, ku luan Shqipëria ndaj Jordanisë dhe Shqipëria U21 ndaj San Marinos. Në Elbasan, raportohet se vetë drejtuesit e Dinamos nuk kanë pasur dëshirë të luajnë dhe kështu, është vendosur të qëndrojnë në Tiranë.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













