Dinamo ndjen kërcënim, dy mbrojtësit e bluve në pritje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2026 | 9:27

Dinamo ndjen kërcënim, dy mbrojtësit e bluve në pritje

Dinamo e mbylli kampionatin në vendin e katërt, duke marrë vetëm një fitore në “Final 4” kundër skuadrës së Vllaznisë që në debutim, ndërkohë që sfida e fundit për blutë ishte ajo ndaj Egnatias pak ditë më parë.

dinamo

Skuadra e drejtuar nga Daja u mund 2-0 dhe tashmë ka marrë disa ditë pushim, për t’u rikthyer në fushë vetëm pas datës 8 qershor, kur do të nisë zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri dhe për Ligën e Konferencës, duke qenë se Europa është pranë. Para se të nisin përgatitjet, drejtuesit duhet të bindin disa lojtarë kryesorë për të rinovuar kontratat e tyre, duke qenë se me fundin e sezonit, janë edhe shumë lojtarë që kanë fundin e kontratës.

MBROJTJA- Bruno Dita ka arritur marrëveshje me klubin blu për të rinovuar kontratën, ndërkohë që situata nuk duket e qetë me të tjerët. Mbrojtësi i Kombëtares, Naser Aliji është gjithashtu pranë fundit të kontratës duke qenë se në fund të sezonit të rregullt që përfundon më 30 qershor, do të skadojë edhe kontrata e tij. drejtuesit po bisedojnë me lojtarin për ta pasur në skuadër, ndërkohë që Egnatia ka hyrë në garë për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të Kombëtares. Kampionët e Shqipërisë i kanë ofruar kushte më të mira kontraktuale se aktualja te Dinamo, mirëpo “Panorama Sport” ka mësuar se mbrojtësi është fillimisht në bisedime me Dinamon për të dëgjuar ofertën e klubit aktual dhe nëse kjo nuk e bind, atëherë do të mendojë një ofertë tjetër. Gjasat janë që mbrojtësi të rinovojë me blutë, megjithatë gjithçka do të vendoset pas ndeshjeve të Kombëtares. Ndërkohë, e paqartë është situata edhe me Andre Teikseirën. Mbrojtësi portugez firmosi në verë për një sezon dhe u kthye në protagonist me skuadrën e Dinamos. Kontrata e tij përfundon dhe palët ende nuk kanë arritur marrëveshje për rinovimin. Burime pranë klubit të Dinamos, raportojnë për gazetën se palët janë në bisedime për të vendosur se çfarë do të bëhet dhe pritet që lojtari të rikthehet nga pushimet fillimisht, e më pas do të ulen në tavolinë për të vendosur për të ardhmen e tij.

TË TJERËT- Veç Dinamos që natyrisht kërkon të blindojë “senatorët”, në drejtim të lojtarëve pa kontrata kanë vërshuar një lumë ofertash. Paraqitjet që ata kanë bërë me Dinamon dhe natyrisht eksperienca në kampionat, ka bërë që shumë skuadra të kenë interes, për më tepër se lojtarë të tillë mund të mbërrijnë si lojtarë të lirë në skuadër duke qenë padyshim goditje të mëdha në merkaton e verës.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL