Dinamo ia ka marrë dorën, Daja do derbin e radhës
Dinamo rikthehet sot në fushë për ndeshjen e javës së 18 të Superiores dhe njëkohësisht për ndeshjen e fundit të kampionatit këtë vit. “Nëndetësja” do të ketë përballë Partizanin dhe në këtë derbi kryeqyteti, blutë do të jenë udhëtues pasi sfida do të zhvillohet në stadiumin “Arena e Demave”, duke nisur nga ora 18:00.

Dinamo vjen në këtë takim nga një fitore e rëndësishme në “Air Albania” kundër Vorës, teksa nga ana tjetër, Egnatia ka ulur me këmbë në tokë të kuqtë, pasi fituan me rezultatin 2-1 në Rrogozhinë pak ditë më parë. Të dyja ekipet natyrisht do të kërkojnë më të mirën nga kjo sfidë jo vetëm për ta mbyllur vitin në mënyrën më të mirë, por edhe për vetë objektivat që kanë në Superiore, si Partizani, ashtu edhe Dinamo.
E SHKUARA- Sfida e parë mes dy skuadrave është mbyllur me fitoren e Dinamos në stadiumin “Elbasan Arena”, aty ku në fakt të kuqtë bënin një ndeshje të mirë, por një autogol i Atanaskoskit, pat zhbllokuar rezultatin para se Neziri të dyfishonte shifrat. Por, sezonin e shkuar Partizani pat arritur të bëjë më mirë në ndeshjet direkte, megjithëse pikët ishin ndarë në mënyrë të barabartë.
Gjatë fazës së rregullt të kampionatit, të dyja ekipet morën nga një fitore dhe kishte 2 barazime të tjera, ndërkohë që të dyja zhvilluan edhe ndeshjen e vendit të tretë në “Final 4”. Atë sfidë, Partizani preferoi të luante me të rinjtë kundrejt formacionit të parë të Dinamos, por të kuqtë arritën të fitonin me rezultatin 1-2, megjithëse sfida nuk i shërbeu askujt.
DERBI- Këtë sezon, Dinamo ka ditur të marrë më të mirën nga të gjitha ndeshjet derbi që ka luajtur. “Nëndetësja” ka arritur të fitojë dy ndeshjet e para ndaj Tiranës, ashtu sicc edhe ka fituar ndeshjen e fazës së parë ndaj Partizanit. Të njëjtën ecuri, blutë shpresojnë ta vazhdojnë edhe sot, por janë të qartë se i pret një ndeshje shumë e vështirë e madje Partizani është në një moment më të mirë se ai i fazës së parë. Dinamo ka fituar edhe 2 ndeshjet e këtij sezoni kundër Vorës, megjithatë me skuadrën vorake nuk konsiderohet derbi.
GJENDJA E SKUADRËS- Dinamo duhet të bëjë në këtë takim sërish me mungesa të rëndësishme. Vecc Naser Alijit që dihet tashmë, jashtë ka mbetur edhe Gudiabi. Mesfushori ka pësuar një dëmtim pak ditë më parë dhe ka ndjerë shqetësime, duke mbetur jashtë për ndeshjet e fundit. As ndaj Partizanit, Gudiabi nuk do të jetë gati.
Një rikthim i rëndësishëm është padyshim ai i Qefalisë i cili kishte plotësuar numrin e kartonëve megjithatë dënimin e ka shlyer ndaj Vorës. Berisha kishte shqetësime në sfidën e fundit ndaj Vorës, por nuk bëhet fjalë për diçka serioze dhe pritet që të jetë i gatshëm për Dajën. Pjesa tjetër e skuadrës ka qenë në kondicion të mirë fizik dhe pritet që të jenë të gatshëm për sfidën e mbrëmjes ndaj Partizanit.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













