Dihet “thembra e Akilit” të Vllaznisë, Martini ka një telash për të zgjidhur
Shtatë gola të pësuar në 3 ndeshje miqësore ndaj kundërshtarëve inferiorë në letër dhe jo vetëm, janë me të vërtetë shumë për një skuadër si Vllaznia. Në duelet e fundit miqësore ndaj Laçit (2-1), Kukësit (4-3) dhe Besës (1-2), kuqeblutë kanë nxjerrë topin nga rrjeta plot 7 herë, duke treguar kështu “brishtësi” në prapavijë apo edhe në portë.

Në këtë mënyrë mbrojtja shkodrane ka përfunduar nën “akuzë”, duke mos treguar nivelin që pritej prej tyre para nisjes së kampionatit. Pavarësisht se rezultati kalon në plan të dytë kur diskutohet për ndeshje miqësore, skuadra dallohet qartë që “vuan” me pësimin e golave. Dhe diçka e tillë u vërtetua edhe në miqësoret e para të verës në qershor apo edhe në ndeshjet kualifikuese të Conference League. Ku në 4 ndeshjet në kompeticionet europiane, 9 herë kampionët e vendit nuk kanë mundur ta mbajnë portën e paprekur në asnjë prej takimeve. Duke pësuar 8 gola në 4 duelet vajtje-ardhje kundër Daugavpils dhe Vikingur.
Për momentin kjo duket të jetë “pika e dobët” e skuadrës para nisjes së sezonit të ri në Superiore. Ku për Martinin dhe stafin e tij ka pak kohë në dispozicion për të “sistemuar” gjërat para nisjes së edicionit të ri në Superiore. Ku kuqeblutë kanë objektiva ambiciozë dhe patjetër kërkojnë të jenë mes ekipeve pretendente për titullin kampion në fundin e edicionit në maj.
PANORAMASPORT.AL













