Detaji më i rëndësishëm, FSHF tregon punimet nga stadiumi i Partizanit. “Arena e Demave” me tjetër pamje
Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar njoftimin ku tregohet se ka nisur puna për zëvendësimin e tapetit artificial të stadiumit “Arena e Demave”. Megjithatë, njoftimi është i gabuar pasi tapeti do të zëvendësohet me bar hibrid siç “Panorama Sport” ka raportuar ekskluzivisht. Dhe jo bar natyral.

NJOFTIMI I FSHF
Në kuadër të përgatitjeve për finalet e Kampionatit Europian U-21 vitin e ardhshëm në Shqipëri, kanë nisur punimet për zëvendësimin e tapetit artificial në stadiumin “Arena e Demave” me bar natyral.
Aktualisht, ka nisur procesi i heqjes së tapetit artificial, ndërsa në fazat e ardhshme do të realizohet instalimi i sistemit të vaditjes.
Më pas do të vijojë mbjellja e fushës me bar natyral, një investim që synon të krijojë kushte optimale për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Përveç stadiumit “Arena e Demave”, edhe në stadiumin “Air Albania” kanë nisur punimet për vendosjen e një tapeti të ri me bar hibrid, sipas standardeve më të larta të kërkuara nga UEFA për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.


PANORAMASPORT.AL













