Derbi në shenjën e dhunës, pushtim fushe dhe grushte. Një karton u dha gabim, “fluturuan” 20 mijë euro. Çfarë nuk u pa në Partizani-Tirana
Ndeshja e djeshme derbi mes Partizanit dhe Tiranës, ka pasur dhjetëra episode për t’u shënuar. Nga sherri i dhunshëm në tribunën përballë, te goditjet në tribunën VIP. Gazeta “Panorama Sport” po ju sjell disa prej pikanteve që nuk u panë në televizor.
-Për herë të parë në historinë e derbeve mes Partizanit dhe Tiranës, ndeshja u luajt tek “Arena e Demave”, që ndodhet në Tufinë. Për derbin, kjo ishte hera e parë që dilte jashtë unazës së madhe, por brenda në kryeqytet.
-Derbi mes Partizanit dhe Tiranës ka nisur me një sherr masiv në tribuna, mes mbështetësve të të dyja skuadrave. Në momentin kur tifozët e Tiranës po hynin në tribunën përkatëse të stadiumit “Arena e Demave”, ata u përplasën me mbështetësit e të kuqve që ishin në stadium. Palët u panë duke u gjuajtur me sende të forta e fishekzjarre. Të kuqtë nga tribuna dhe miqtë nga rruga. U desh ndërhyrja e stjuartëve të vendosur në tribuna, por edhe forcave të rendit të cilat ishin të shumta, për të ndarë palët dhe për të vendosur qetësinë në tribuna, duke shoqëruar jashtë stadiumit disa nga mbështetësit e skuadrave.
-Sherri vazhdoi edhe më tej, sepse në momentin e futjes së tifozëve bardheblu, një situatë aspak normale u krijua në tribunat ku qëndronin grupet ultras të dy tifozërive, teksa u desh ndërhyrja e forcave “Shqiponja”, për të shmangur një përleshje masive. Në këtë moment u krijua një hapësirë e madhe mes dy tifozërive nga forcat e policisë, për të shmangur gjuajtjet me flakadanë dhe sende të forta. Situata e tensionuar zgjati për afro 5 minuta, teksa më pas gjithçka u mor nën kontroll nga policia. Tifozët e Partizanit invaduan fushën dhe shkuan te sektori mik për të bërë sherr, por hekurat dhe policia ndau kasaphanën. Gjithçka nisi nga një shkop i hedhur, që solli më pas jo vetëm dhunën, por hedhjen e shashkave, tymueseve, por OLSI AVDIAJ edhe të sendeve të forta.
-Dhjetëra të shoqëruar në komisariat gjatë dhe pas sfidës mes Partizanit dhe Tiranës të luajtur në Tufinë.
-Mbi 600 efektivë policie ishin të pranishëm në stadium dhe rrethinat e tij për të mbarëvajtur derbin e parë të luajtur në periferinë e kryeqytetit.
-Nga përplasja e tifozërive janë lënduar disa efektivë policie. Bëhet me dije se punonjësit e policisë janë dërguar në Spitalin e Traumës, për të marrë mjekimet e nevojshme. Njëri prej efektivëve ka marrë lëndime të shumta, duke mbetur shumë i dëmtuar.
-Mbi 2500 tifozë ishin të pranishëm për të ndjekur sfidën mes Partizanit dhe Tiranës. Stadiumi nuk u mbush asnjëherë plot.
-Menjëherë pas sherrit, policia merr pamjet filmike në stadium, për të verifikuar ngjarjet e parandeshjes.
-KF Tirana mbërrin në stadium në orën 12:45, për shkak të trafikut të madh. Në fakt, më pas u mor vesh që bardheblutë nuk kishin eskortë policore për të shkuar në stadium.
-Nga “Rruga Ura”, deri te stadiumi “Arena e Demave ka qenë një trafik i tmerrshëm. Ka qenë pothuajse e pamundur që të udhëtohej me mjet drejt Tufinës.
-Ndeshja nis me 30 minuta vonesë, për këtë shkak dhe faktit që tifozët nuk kishin mbërritur në stadium si dhe policisë që ende nuk kishte stacionuar forcat e saj në perimetrin e stadiumit.
-Pas një përplasjeje mes Ernest dhe Qirkos, doktori i Tiranës shkon t’i japë ndihmë portierit të Partizanit. Sulmuesi i Tiranës ndëshkohet me të verdhë, ndërsa Shkëmbi e thërret dhe e këshillon.
-Grenti Halili proteston për një bërryl të Janjevës ndaj Përgjonit. Ai kapet me gjyqtarin e katërt, Ferataj që e urdhëron të ulet drejtorin e bardhebluve.
– Grent Halili dhe një tifoz bëhen protagonist pas golit të barazimit të Partizanit. Tifozi shkon dhe i bie pankinës me forcë dhe më pas kapet me Halilin. Mes të dyve ka shtyrje e shkëmbehen edhe goditje. Më pas është vetë Grent Halili që mundohet të qetësojë situatën.
-Bledi Shkëmbi, i veshur me pallto kafe, e ka me skuadrën e tij, që nuk vendoset mirë. Ulet vetëm pas shënimit të golit. Në këmbë, Velesinoviç gjatë gjithë lojës. Veselinoviçi, si zakonisht i palëvizur me këmbë të kryqëzuara.
-Stafi i Tiranës proteston për një faull të Janjevës ndaj Përgjonit. Për mbrojtësin e Partizanit do të ishte i verdhi i dytë.
-Agim Ibraimi shkelmon një top, por shpëton nga i kuqi, por që e merr te rasti i golit të barazimit.
-Presidenti i Tiranës, Refik Halili e ka ndjekur ndeshjen me miqtë e tij, mbi pankinën e Tiranës. Madje te goli i barazimit, mes disa zyrtarëve të Partizanit dhe miqve të Halilit ka plasur edhe një sherr.
-Në fund të lojës Olsi Rama dhe Refik Halili takohen me njëri-tjetrin, duke diskutuar për ndeshjen e luajtur tek “Arena e Demave”.
-Eldorjan Hamiti, pasi qetëson situatën e sherrit, ndëshkon me karton të verdhë Bintsukën, pasi ky i fundit kishte hequr bluzën te goli. Sulmuesi i Partizanit i bëri me dije se golin e kishte shënuar Sembene. Gjyqtari tërheq kartonin dhe ia cakton mbrojtësit.
-Në fund të lojës, mesfushori Adnard Mehmeti i jep dorën gjyqtarit, pasi nuk e ndëshkon me kartonin e kuq për sherrin e ndodhur në fushën e lojës ku ai ishte protagonist.
-Si zakonisht ccdo send i mundshëm hidhet në fushën e lojës gjatë ndeshjes derbi. -Veselinoviç përfiton nga rasti që Zharmuni po bisedonte mes Sembenen dhe Bintsukën dhe e takon, duke biseduar për disa minuta. Sulmuesi i Tiranës në një moment të caktuar gjatë lojës bëri me shenjë.
-Tifozët e Tiranës kishin përgatitur një banderolë për sfidën derbi. “A e keni me tapi, këtë stadiumin për vaki”, shkruanin tifozët bardheblu.
-Tirana humbet jo vetëm 2 pikë, por edhe 20 mijë euro premio. Drejtuesit bardheblu kishin vënë në dispozicion shpërblim në rast fitoreje.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













