“Cilësia e Superiores ka rënë”, Enkel Alikaj: Titullin e fiton sakrifica, shoh katër skuadra në luftë
Enkel Alikaj e njeh mirë kampionatin shqiptar pasi për shumë vite, ka dhënë kontributin e tij duke fituar edhe trofe të rëndësishëm. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori ka analizuar kampionatin shqiptar, duke u ndalur edhe te Dinamo.

Ai shprehet se blutë e kanë cilësinë për të luftuar për titull, por shton se titullin kampion e fiton skuadra me më shumë dëshirë e sakrificë. Veç Dinamos, Alikaj ka lënë gjurmë edhe me Kukësin, Skënderbeun apo edhe Kastriotin e Besën, teksa aktualisht vijon si trajner në Gjermani.
Enkel vazhdon ta ndjekësh Superioren? Cila skuadër po ju bind?
Po në kohën e lirë shikoj disa ndeshje nga kampionati shqiptar dhe jam ndjekës i rregullt i tij. Në këto javë kampionati nuk është se dikush ka bindur, por si surprizë pozitive do të veçoja skuadrën e Elbasanit. Janë të mirë organizuar dhe duket dora e trajnerit, pasi që e njoh personalisht dhe e di se sa profesionist si futbollist ka qenë, dhe s’ka si të jetë ndryshe edhe si trajner.
A mendon se ka ndryshuar niveli i kampionatit nga koha kur ju ishit pjesë?
Të them të drejtën, në kohën tonë kishte më shumë cilësi, pasi që edhe pjesa më e madhe e futbollistëve, edhe pse kishin cilësi, të luanin jashtë dhe të transferoheshin në atë kohë, ishte e vështirë. Kështu që kampionati kishte kualitet dhe prezenca në stadium e tifozëve ishte dukshëm më prezente.
Si të është dukur Dinamo deri në këtë pikë të kampionatit?
Dinamon e pashë në kupat e Europës dhe bëri një paraqitje vërtet të mirë, dhe kjo normal që ka pasoja në kampionat, të cilat Dinamo i ka ndjerë me disa dëmtime dhe një farë ngarkese, e cila në fillimin e kampionatit një pjese të lojtarëve ua ka hequr freskinë. Edhe pse jam i mendimit që presidenti Bardhi, bashkë me stafin e tij, janë munduar t’i vënë trajnerit Daja, që njihet për aftësitë e tij si një ndër më të mirët në Shqipëri, një organikë që mund të luftojë në fund për të dyja trofetë.
Oshilacionet që ka shfaqur deri më tani, pse mendoni se kanë ardhur?
Oshilacionet, siç e përmenda edhe më lart, kupat e Europës, një sërë ndryshimesh lojtarësh që u duhet kohë të adaptohen me atë që kërkon kampionati, por sidomos trajneri, kohë e cila nuk është, për arsye se javët e kampionatit nuk të lënë hapësirë.
Çfarë duhet bërë në javët e ardhshme për të mos pasur sërish të njëjtat probleme?
Ajo që duhet bërë është që skuadra të jetë e vetëdijshme për forcën që ka, repartet duhet të funksionojnë më mirë me njëri-tjetrin dhe të maksimizojnë mundësitë e krijuara. Normal që mendoj se këtë vit ka më shumë rivalitet. Ajo që duhet bërë e di më mirë ta bëjë trajneri Daja, pasi është gjithë kohës prezent me grupin e lojtarëve dhe më mirë se ai askush nuk i di dobësitë ose më saktë mangësitë që skuadra ka.
A ju bind kualiteti që Dinamo ka në skuadër?
Për Dinamon, normalisht për kualitet qëndron pak a shumë në të njëjtin nivel me Egnatian, por në futboll nuk fiton ai që ka më shumë kualitet, por kampionatin e fiton ai ekip që sakrifikon më shumë, që është më i disiplinuar në fushë. Fiton kampionatin ajo skuadër që në organikën e saj ka lojtarë me mentalitet fituesi.
Cili është lojtari nga i cili prisni më shumë?
Nuk mund të përmend emra lojtarësh, por shikoj që ofensiva e Dinamos dhe këtu nuk flas vetëm për sulmuesat, duhet të bëjë më shumë për cilësitë dhe kualitetin që zotërojnë.
Nëse do t’i ndaje me reparte, cilin repart mendon se ka Dinamo më të fortë dhe pikë më të dobët?
Po të shikosh statistikat, Dinamo ka shënuar 12 gola në 12 ndeshje, me një mesatare 1 gol për ndeshje, që janë shumë pak për një skuadër që lufton për trofe. Kështu që jo vetëm Dinamo, por kjo është një “sëmundje” e hershme që e kanë edhe skuadrat e tjera, që realisht shënojnë pak, sepse ekipet i japin më shumë rëndësi fazës mbrojtëse, dhe kjo në një farë mënyre humb pak bukurinë e futbollit dhe interesin e tifozëve.
Nga sa ke parë deri më tani, a mund t’i ndash skuadrat e “Final 4” dhe skuadrat që mund të bien nga kategoria?
Po si më të mirë strukturuara dhe me atë që është parë këto javët e para, Elbasani, Dinamo, Vllaznia dhe Egnatia kanë diçka më shumë se të tjerat dhe them se fituesi do të ndahet midis tyre. Ndërsa për sa i përket rënies nga kategoria, Tiranën, Flamurtarin dhe Bylisin i shikoj më të rrezikuarat.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













