Bylisi rrit besimin para Vllaznisë, synon pikë të plota në sprintin final të vitit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2025 | 20:27

Bylisi rrit besimin para Vllaznisë, synon pikë të plota në sprintin final të vitit

Bylisi ka analizuar barazimin 1-1 ndaj Teutës, ku stafi dhe drejtuesit evidentuan gabimet në mbrojtje dhe mungesën e qetësisë para portës. Trajneri Mirel Josa ka qetësuar skuadrën në aspektin psikologjik, duke kërkuar vazhdimësinë e lojës së mirë dhe efikasitet më të madh në finalizim.

bylis

Pas analizës, ekipi ka vijuar stërvitjen me grup të plotë, ndërsa janë rikthyer lojtarë si Peralta dhe Kamara. VLLAZNIA- Tashmë vëmendja është te sfida e radhës ndaj Vllaznisë në Shkodër, e cila luhet të dielën në orën 16:30. Për herë të rrallë pritet që Bylisi të shkojë me të gjithë kontingjentin, duke krijuar konkurrencë për çdo pozicion. Loja e mirë ndaj Teutës ka rritur besimin, ndërsa tifozët kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme dhe pritet të jenë të pranishëm edhe në “Loro Boriçi”.

Përpara mbylljes së vitit, ballshiotët kanë edhe tre sfida të vështira, me Vllazninë, Elbasanin dhe Vorën. Janë 9 pikë në lojë dhe objektivi i klubit është të marrë maksimumin për të larguar presionin e renditjes dhe për të hyrë me më shumë qetësi në pjesën e dytë të sezonit. Në fazën e dytë, Bylisi ka grumbulluar 5 pikë dhe ka treguar lojë pozitive, sidomos në transfertë. Skuadra mallakastriote është konsoliduar ndjeshëm dhe në ndeshjet e fundit ka treguar futboll të bukur, me presion të lartë dhe ritëm të qëndrueshëm gjatë 90 minutave.

Bylisi po tregon se di të luajë njësoj mirë si në shtëpi, ashtu edhe në transfertë. Këto tre ndeshjet e fundit të vitit janë “finalet” e 2025 për mallakastriotët, që synojnë të largohen sa më shumë nga zona e rrezikut dhe të rikthehen në garën për kreun. Me grup të plotë, me besim të rikthyer dhe me një Josa të vendosur, Bylisi shkon në Shkodër për të marrë rezultat dhe për të nisur serinë e duhur përpara pushimit dimëror.

Josa po punon fort në aspektin defensiv pas gafës që solli golin ndaj Teutës, ndërsa lajmi i mirë është zhbllokimi i sulmit me golin e Mustafës. Ekipi duket i konsoliduar dhe luan me ritëm të lartë brenda dhe jashtë fushe, ndaj këto tre sfida të mbetura konsiderohen “finalet” e fundit të vitit për të shmangur zonën e rrezikut dhe për të rritur pretendimet në kampionat.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL