Bylisi në zonën e ftohtë, kërkohet reagim ndaj “demave” të Partizanit
Bylisi është fokusuar te ndeshja me Partizanin, që luhet në transfertë dhe është një nga duelet më të forta jashtë për këtë fazë. Ballshiotët kanë kryer seanca të larmishme me trajnerin Mezani dhe stafin, pasi këto ditë është punuar në fushë, analiza me video por edhe në palestrën e forcës.

Mallakastriotët luajnë pas dy ditëve me të kuqtë, ndërsa skuadra është në grumbullim. Madje bëhet me dije se do të vazhdojë deri para sfidës me të kuqtë, ku synimi është marrja e një rezultati pozitiv, pasi gara për mbijetesë është ashpërsuar shumë.
Afrimet e fundit në Ballsh kanë rritur cilësinë dhe njëkohësisht edhe konkurrencën. Me afrimet e portierit Toni Batista, por edhe sulmuesit Mustafa, duket se ballshiotët janë përforcuar në çdo repart, ashtu sikurse kanë shtuar edhe alternativat. Ndaj edhe drejtuesit në analizën që kanë pasur me skuadrën kanë kërkuar që të bëjnë maksimumin, sidomos në këto sfida delikate, që luhen në këtë periudhë të garës.
Kanë mbetur edhe 11 ndeshje për t’u luajtur dhe mallakastriotët luajnë sezonin në këto javë që vijnë. Janë vendimtare jo vetëm sfida në transfertë me të kuqtë të premten, por sidomos duelet që zhvillohen në shtëpi me Skënderbeun dhe ajo e parë e fazës së katërt me Teutën. Ballshiotët kanë mundësinë më të mirë që të lënë pas rivalët kryesorë për mbijetesën. Skuadra pret reagim dhe sytë janë edhe te një nga afrimet e bujshme, Viktor da Silva.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













