Bylisi ndërlikon pozitat, pa Oforin ndaj kampionëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2025 | 21:22

Bylisi ndërlikon pozitat, pa Oforin ndaj kampionëve

Bylisi është mposhtur pas 7 javësh me një ecuri pozitive këtë sezon. Ballshiotët janë mundur në stadiumin “Adush Muçaj”, aty ku pritej më pak dhe për më tepër nga një Tiranë që po kalonte një moment të vështirë. Ajo humbje e thellë, 0-3, “djeg” shumë, pasi mallakastriotët tashmë i kanë ndërlikuar jo pak pozitat e tyre në tabelën e renditjes, duke qenë se rivalët kanë fituar.

Screenshot 2025-01-28 212045

Përveç Tiranës, kanë marrë pikët maksimale javën që lamë pas edhe Skënderbeu dhe Laçi, kështu që fundi i renditjes është ngjeshur shumë dhe gara bëhet më e fortë. Nuk do të jetë e lehtë, pavarësisht se Bylisi ka kualitet dhe ka treguar se mund të mposhtë edhe pretendentët për titullin kampion. Tani fillon faza më e vështirë e kampionatit dhe në kampin ballshiot kërkojnë që skuadra të reagojë sa më shpejt për të mos u futur në presion.

EGNATIA – Trajneri Nevil Dede dhe stafi i tij kanë nisur që dje përgatitjet për ndeshjen me Egnatian në fushën e kësaj të fundit. Nga Rrogozhina Bylisi ka një kujtim të hidhur, sepse fazën e parë u mund me rezultatin e thellë, 4-0. Ka pasur një analizë të humbjes me Tiranën para stërvitjes, pastaj ka vazhduar puna në fushë.

Bylisin e presin duele mjaft të forta, sepse krahas Egnatias, do të luajë në kampionat fushën e vet me Elbasanin dhe më pas do të shkojë në transfertë me Partizanin. Tani llogaritë bëhen me laps në dorë dhe çdo pikë vlen shumë. Kundër Egnatias do të ketë një mungesë me peshë për ballshiotët, mesfushori Ofori që u ndëshkua me karton të kuq ndaj Tiranës dhe duhet të shlyejë dënimin. Alternativat nuk mungojnë, por me shumë gjasa do të kemi një zhvendosje përpara të Marin Abazajt, në pozicionin e tij natyral.

Edhe Mahmuti mund të luajë në këtë pozicion. Shpresat janë për të dalë me pikë nga kjo transfertë, ndërkohë që pas saj vjen edhe sfida e parë çerekfinale e Kupës së Shqipërisë po ndaj rrogozhinasve. Janë dy ndeshje mjaft impenjative për skuadrën e trajnerit Dede. Kuptohet që më shumë rëndësi për Bylisin ka kampionati, ndaj dhe të gjitha energjitë do të shpenzohen këtë fundjavë.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL