Bylisi me pengje, episodet e VAR-it dhe gjyqtari ndalojnë fitoret e radhës
Barazimi me Teutën i ka mërzitur të gjithë në Ballsh, pasi ecuria nuk përkon me investimin që është bërë nga klubi por edhe objektivat e skuadrës mallakastriote qe ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë në fushën e vet, duke ndërtuar aksione sulmuese, me lojë të bukur, por duke goditur edhe portën kundërshtare, madje shënuar dy gola edhe pse njëri u anulua nga gjykimi i ndeshjes.

Mirel Josa dhe stafi dje kanë qenë të pranishëm në “Adush Muçaj”, për të ndjekur një nga ndeshjet më të rëndësishme të skuadrës B, ndaj rivalit Partizani B. Mallakastriotët aktivizuan edhe lojtarë të skuadrës së parë, si Peralta që mungoi ndaj Teutës dhe e ndoqi duelin nga tribuna, por edhe Abubakar Kamaranë që ishte në stol ndaj durrsakëve dhe me shumë gjasa do të jetë gati për lojë në transfertën e Shkodrës.
Por edhe Beqaj, Abazaj, Sulovari, Rabiu, Sanogo, Idrisu, Akibu, që shënoi dje me fanellën e ekipit B, takim që përfundoi 1-1 në Ballsh dhe që kishte mjaft interes nga të dyja kampet. Nuk munguan edhe pjesa tjetër e skuadrës së parë që kanë qenë në grumbullim dhe menjëherë pas ndeshjes së djeshme Bylis B-Partizani B, dolën në stërvitje edhe ata.
Në radhë është sfida me Vllazninë, një duel mjaft i fortë dhe i rëndësishëm, ndaj edhe ballshiotët e kanë pasur “axhendën” e ngarkuar mbrëmë sepse në orën 16:00 por edhe 19:00 kanë ndjekur sfidat e dy rivalëve të radhës, Vllazninë që luante me Elbasanin kurse Vora që luante ndaj Egnatias në Rrogozhinë. Kujtojmë që në fazën e parë në Ballsh, mallakastriotët humbën në një ndeshje mjaft të kontestuar nga ana e tyre.
DUELI ME TEUTËN – Mallakastriotët do të analizojnë sfidën me durrsakët, sot ose nesër kur grupi të jetë më i plotë, ndërsa presidenca dhe stafi duket se kanë analizuar gjatë episodet e sfidës me durrsakët e sidomos “moviolën” e ndeshjes! Ku vazhdojnë të mendojnë se goli i anuluar ka qenë i rregullt dhe që është gabuar si nga VAR ashtu edhe nga kryesori. Duke ku hequr kështu pikë të rëndësishme nga duart në një duel shtëpie. Madje u bënë disa sfida mu “gabimet” e gjyqtarëve në “bashkëpunim” me VAR kanë ndëshkuar rëndë Bylisin, sidomos duelit me Vllazninë në Ballsh, Elbasanin në transfertë dhe së fundmi me Teutën. Vendime që kanë ndihmuar drejtpërsëdrejti në rezultatin e ndeshjes dhe që kanë “stopuar” ecurinë e mallakastriotëve në kampionat. Ndaj edhe në Ballsh tashmë kërkojnë qe të ketë më shumë drejtësi në ndeshjet në vijim, pasi po përcaktohet fati i sezonit.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













