Bylisi me mendjen te merkato, skuadra ballshiote pret edhe një sulmues nga Nigeria
Dy vite më parë, Bylisi ishte mysafir në Vlorë dhe fitonte 0-1, në javën e dytë me golin e Eminit, kur të dyja ekipet merrnin pjesë në Kategorinë e Parë dhe synonin elitën.

Në prag të sfidës me Flamurtarin, e cila sipas kalendarit duhej të zhvillohej në Vlorë, por që do të zhvillohet në Ballsh, mallakastriotët e trajnerit Mirel Josa do të kërkojnë suksesin e parë edhe për atë se luajnë sërish në shtëpinë e tyre. Flamurtari rikthehet në elitë pas 5 sezoneve, ndërsa Bylisi luan në vitin e dytë radhazi, pasi u rikthye një edicion më parë.
Në Ballsh duan që të gjejnë 3 pikët e para, ndonëse luajnë një duel delikat, me një nga ekipet që ka investuar më shumë në Superiore. Në Ballsh, sa i përket merkatos, presin edhe një sulmues nga Nigeria me eksperiencë, teksa në klub shpresojnë që këto ditë të mbyllin marrëveshjen me sukses dhe ofensiva të jetë “top” në vazhdim.
Fakti që skuadra krijoi raste dhe nuk shënoi, duke lënë dy pikë në shtëpi, nuk është pritur mirë nga drejtuesit mallakastriotë që kanë pretendime për ndërtimin e një skuadre më të fortë këtë sezon, nisur edhe nga investimet dhe shpenzimet kolosale.
KALENDARI – Bylisi, përveç faktit që e luajti ndeshjen e parë të sezonit në shtëpi, në javët e para ka një kalendar delikat, pasi pas Flamurtarit, ka sfida me dy nga skuadrat që janë pretendentë kryesorë për titullin kampion, si Egnatia në “Adush Muçaj”, më pas transfertë me Dinamon, pret Partizanin në Ballsh dhe më pas në transfertë me Teutën. Pra, pesë javët e para janë flakë për mallakastriotët, që duhet të grumbullojnë sa më shumë pikë, brenda apo jashtë shtëpisë. E vështirë por jo e pamundur, megjithatë ballshiotët duhet të zgjidhin problemin me golin, sepse prodhojnë lojë dhe raste…
STATISTIKAT – Bylisi është një nga ekipet me moshën më të re në kampionat. Madje, po të shohësh përbërjen e deritanishme të mallakastriotëve, kanë një mesatare moshe prej 23.5 vitesh. Në sfidën e parë ndaj Tiranës, te Bylisi luajtën titullarë dy lojtarë nën 20 vjeç: Fabjan Përndreca në linjën e majtë dhe Aurel Marku, mbrojtës i djathtë, sapo ka mbushur të 20-tat. Kurse në stol, shumë lojtarë nga 18-vjeç deri 20-vjeç si: Beqaj, Skënderaj, Hodo, Koita, Olamilekan, Akibu, Ofori e Koxhi.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













