Bylisi kthen faqen, fokusi te Flamurtari dhe… fitorja
Bylisi ka analizuar disfatën në Tiranë, e cila erdhi pas një ecurie pozitive prej tre ndeshjesh, dhe tashmë është totalisht i fokusuar te sfida e radhës ndaj Flamurtarit. Përballja do të zhvillohet në Ballsh, të shtunën në orën 15:00, dhe konsiderohet një ndeshje shumë e rëndësishme për vijimësinë e sezonit. Trajneri Mirel Josa, së bashku me stafin e tij, ka kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra, duke theksuar se në këtë fazë të kampionatit çdo ndeshje duhet trajtuar si finale.

Kërkesa ka qenë e qartë për të gjitha repartet, por edhe për lojtarët individualisht, që të tregojnë më shumë kujdes dhe përgjegjësi në fushën e lojës. Në seancat stërvitore kanë qenë të pranishëm pothuajse të gjithë futbollistët, ndërsa të diferencuar janë stërvitur Koxhi dhe Bruno. Ndërkohë, Josa ka punuar edhe në aspektin taktik, duke e ndarë skuadrën në dy grupe dhe duke provuar variante të ndryshme, si në lëvizje, ashtu edhe në skemë, për t’iu përshtatur sa më mirë kundërshtarit të radhës.
SKEMA – Një nga dilemat kryesore mbetet mënyra e organizimit në mbrojtje. Nuk përjashtohet mundësia që ndaj Flamurtarit të aplikohet një skemë me tre mbrojtës, ndonëse trajneri Josa preferon më shumë rreshtimin klasik me katër në prapavijë. Në repartin ofensiv pritet më shumë nga sulmi dhe lojtarët e krahëve, të cilët edhe ndaj Tiranës punuan shumë, por nuk arritën të konkretizonin rastet.
Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që në këtë sfidë shtëpie Josa të aktivizojë dy sulmues të mirëfilltë, në përpjekje për të rritur forcën goditëse të ekipit. Një vendim përfundimtar pritet të merret pas një ndeshjeje kontrolli brenda grupit, në kuadër të përgatitjeve për këtë duel.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













