Bylisi kërkon reagimin, trajneri Josa piketon ndryshime për Egnatian
Bylisi u rikthye te humbja në përballjen me Flamurtarin, pas dy fitoreve radhazi, në një ndeshje ku skuadra e Mirel Josës zhvilloi ndoshta njërën nga paraqitjet më të zbehta të këtij sezoni. Megjithatë, në Ballsh askush nuk do të ndalet gjatë te kjo disfatë, pasi në horizont është një tjetër ndeshje shumë e fortë, sfida ndaj Egnatias, ku pritet reagimi i menjëhershëm.
LËVIZJE NË FORMACION DHE SINJALE NGA EKIPI B Trajneri Josa duket se do të bëjë ndryshime në formacion, pasi disa futbollistë nuk bindën në Vlorë. Në ndeshjen që skuadra B zhvilloi në Maliq për Kategorinë e Dytë, janë aktivizuar disa lojtarë të ekipit të parë, me synimin për të fituar ritmin dhe për të bindur stafin teknik. Nga këta, Josa pret sinjale pozitive, veçanërisht nga Idrisu, Ofori, Uankeuai, Abazaj dhe Sulovari, të cilët shihen si alternativa të mundshme për t’u futur në formacionin titullar në sfidën e radhës në Rrogozhinë. Kjo do të jetë sfida e tretë radhazi në transfertë për Bylisin, dhe stafi po mendon për një përbërje ndryshe, jo vetëm si reagim i humbjes, por edhe të karakteristikave të kundërshtarit.
MUNGESA DHE RIKTHIME Kundër Egnatias, mungesa e sigurt është ajo e Aboubakar Kamarasë, i cili po kryen stërvitje individuale dhe mbetet në dyshim për rikthim të menjëhershëm. Në mungesë të tij, trajneri Josa po kërkon zgjidhje alternative në krahun e djathtë, pasi Kamara është një lojtar me ndikim të madh në lojën e Bylisit, si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese. Përveç Kamarasë, në seancën e djeshme janë regjistruar edhe mungesa të justifikuara, pasi Aurel Marku dhe Fabjan Përndreca janë grumbulluar me Kombëtaren U21, ndërsa Petro Marku, një prej lojtarëve më premtues të klubit, është bashkuar me Kombëtaren U-17.
PAUZA, MUNDËSI PËR KORRIGJIM Pauza ndërmjet ndeshjeve po shfrytëzohet nga Josa për rikuperimin fizik dhe psikologjik të grupit, por edhe për t’u dhënë më shumë minuta lojtarëve që janë bashkuar me vonesë me ekipin. Skuadra po stërvitet me ngarkesa të reduktuara, ndërsa trajneri ka planifikuar seanca të dyfishta, në palestër dhe në fushë, deri në fundjavë. Nuk përjashtohet mundësia që Bylisi të zhvillojë një miqësore brenda grupit, nëse nuk gjendet një kundërshtar. Edhe pse ndodhet në një pozitë jo plotësisht komode, Bylisi është larg zonës së ftohtë të tabelës, por diferencat janë minimale dhe çdo rezultat ka peshë. Dy ndeshjet e ardhshme janë tepër të vështira, fillimisht ndaj Egnatias, e më pas përballë Dinamos në Ballsh. Në këtë situatë, rikthimi te rezultatet pozitive është prioritet absolut.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













