Bylisi kërkon kthesën në “Selman Stërmasi”, Abazaj beson te fitorja
Bylisi do të mbyllë të shtunën përgatitjet anti-Dinamo, ndërsa mallakastriotët e Mirel Josës do të tentojnë kthesën në duelin që luhet nesër pasdite në orën 16:00, në “Selman Stërmasi”.
Ballshiotët kanë qenë gjithë javës në grumbullim, ndërsa lojtarët kanë besim se kthesa mund të vijë këtë javë, edhe pse përballë do të kenë një kundërshtar me kualitet dhe me emër të madh në futbollin shqiptar. Lojtarët e Bylisit besojnë se nëse luajnë si në dy sfidat e para me Tiranën dhe Flamurtarin, do të kenë mundësi të shpërblehen me rezultat pozitiv.
Në prag të duelit me blutë, skuadra ka qenë e plotë në seancat stërvitore, ndërsa janë titullarët ata që japin garanci për një rezultat pozitiv. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Marin Abazaj, kapiteni i Bylisit, është ndalur te sfida e fundit me Egnatian dhe ka folur për atë të radhës me blutë.
“Disfata me Egnatian sigurisht që nuk na bëri mirë dhe erdhi në një moment kur ne po kërkonim konfirmimin, pasi kishim marrë më parë dy barazime. Synuam të merrnim pikë nga ajo ndeshje dhe menduam se e realizuam pas pjesës së parë, duke synuar të godisnim kundërshtarin në befasi, por nuk na doli për mirë, pasi u ndëshkuam në një kundërsulm nga rrogozhinasit, të cilët shfrytëzuan si kualitetin, ashtu edhe eksperiencën që kanë më gjatë,” tha Abazaj.
“Tashmë kemi nisur të mendojmë për sfidën e radhës me skuadrën e Dinamos, duel i fortë që e luajmë në Tiranë, sepse blutë kanë një nga ekipet më të forta. Ne kemi punuar shumë gjatë gjithë javës dhe mendoj se do të shpalosim tërë arsenalin tonë në kryeqytet. E di që nuk do ta kemi të lehtë, por kemi një trajner ekspert si Josë dhe besoj se do t’ia gjejmë dobësitë Dinamos. Jemi me skuadër të plotë dhe kjo është pozitive, sepse të gjithë jemi të detyruar të bëjmë maksimumin. Dinamo ka qenë një kundërshtar i vështirë edhe sezonin e shkuar, kur bëmë kthesën në fushën tonë, dhe shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë edhe këtë sezon. Kam besim se do të kemi edhe mbështetjen e tifozëve tanë dhe duam t’i gëzojmë ata sadopak,” përfundoi Marin Abazaj.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













