Bylisi gati për Superioren nis grumbullimin “anti-Tirana”
Bylisi ndan vetëm tri ditë nga starti i garës, me ballshiotët që ndodhen në kushte grumbullimi gjatë javës për ndeshjen ndaj Tiranës.

Në një kohë kur skuadra mallakastriote vazhdon merkaton, klubi është në bisedime me 2 lojtarë cilësorë nga tregu i huaj, ndërsa trajneri Josa dhe stafi po vijojnë përgatitjet për premierën e sezonit. Në Ballsh kanë nisur të organizohen tifozët, pasi synimi është që të përforcohet mesfusha dhe sulmi, në mënyrë që Bylisi të jetë sa më i fortë në garë.
Pritet që ndaj Tiranës skuadra të ketë mbështetje maksimale, jo vetëm sepse është një duel i rëndësishëm, por edhe sepse ultrasit vendas janë kureshtarë për të parë skuadrën që do t’i përfaqësojë këtë sezon me ambicie madhore. Mallakastriotët e kanë si objektiv të shkojnë sa më gjatë në Kupën e Shqipërisë dhe, pse jo, ta bëjnë të tyre. Po ashtu, edhe në kampionat do të kërkojnë vendet e sipërme të renditjes.
Ende nuk ka një vendim nga ana e klubit mallakastriot nëse hyrja do të jetë falas, ashtu siç është bërë në çdo ndeshje të parë në Ballsh, por kjo do të përcaktohet brenda 48 orëve të ardhshme. Duhet kujtuar se tifozët kanë qenë dhe mbeten aleati më i fortë i skuadrës së Bylisit, duke mos munguar as në ndeshjet e rëndësishme të sezonit të shkuar, madje edhe në transferta, si në Laç, Shkodër, kryeqytet, Durrës apo Elbasan e Korçë.
Takimi me Tiranën do të luhet të shtunën në orën 17:00, në impiantin “Adush Muçaj” të qytetit të Ballshit. Ditët e fundit i është dhënë dorë e fundit meremetimeve, me disa ndërhyrje të vogla në mjediset e brendshme dhe të jashtme, në dhomat e gjyqtarëve, të mediave dhe në “VAR”, për të krijuar kushtet sa më optimale në prag të sezonit të ri futbollistik. Gjithashtu, është ndërhyrë edhe në tribunën qendrore dhe shkallët ballore të stadiumit.
Bylisi ka dy dekada pjesëmarrje në elitë dhe bën pjesë në ato skuadra me eksperiencë në futbollin shqiptar. Ballshiotët nuk duan më të jenë në zonën e mbijetesës, ndërsa me afrimet e kryera, duket se klubi ka goditur në shenjë. Tashmë është momenti që të gjithë të tregojnë veten në fushën e blertë.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













