Bylisi është gati për Dinamon, por mungesat janë kilometrike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2026 | 13:16

Bylisi është gati për Dinamon, por mungesat janë kilometrike

Bylisi ka mbyllur një javë të ngarkuar, me dëmtime, largime dhe lëvizje në merkato, por vëmendja më e madhe ka qenë te sfida e sotme me blutë, që nis në orën 19:00 në “Air Albania”.BYLISMallakastriotët luajnë një transfertë mjaft delikate dhe synojnë një rezultat pozitiv, teksa në Ballsh qëllimi mbetet të vazhdojnë ecurinë pozitive. Trajneri Mirel Josa është përpjekur, bashkë me stafin, të mbajë moralin lart dhe ka përgatitur ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme për këtë transfertë. Aurel Marku, kapiteni i Bylisit, ka folur për ndeshjen me blutë dhe sipas tij, do të synohet vazhdimësia pas barazimit me Egnatian. Në prononcimin për “Panorama Sport”, Marku deklaroi se skuadra do pikë.

“Ka qenë një javë e ngarkuar për skuadrën, por ne kemi qenë të fokusuar te sfida e radhës me Dinamon, që e luajmë sot në Tiranë. Luajmë një transfertë të vështirë, por do të përpiqemi të përsërisim fazën e parë të sezonit, duke synuar një rezultat pozitiv. Dinamo është një emër i madh, me lojtarë cilësorë, por ne duam të bëjmë llogaritë tona, duke grumbulluar sa më shumë pikë, brenda dhe jashtë fushe. Bylisi ka cilësi dhe, pavarësisht mungesave, skuadra bazohet tek forca e grupit dhe individët. I uroj suksese Malomos dhe Mustafës, si dhe shërim sa më të shpejtë portierit tonë Gurau, por tani duhet të shohim vetëm përpara. Në çdo ndeshje, brenda dhe jashtë fushe, duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të grumbullojmë pikë. Kjo është një fazë delikate, por kam besim se ky grup lojtarësh, si dhe ata që do të vijnë, do ta bëjnë Bylisin edhe më të fortë. I garantoj tifozëve se do të jemi dinjitozë dhe do të luftojmë për pikë në çdo ndeshje, nisur që nga sfida me Dinamon”, tha ai.

KLUBI NË MERKATO – Zhvillimet e fundit në Ballsh, dëmtimi i rëndë i portierit titullar Gurau dhe shitja e Malomos e Mustafës, kanë detyruar klubin të aktivizohet në merkato. Skuadra pritet të përforcohet me elementë cilësorë, duke përfshirë portier, mbrojtës dhe sulmues. Qëllimi kryesor i Ballshit mbetet mbijetesa, dhe kërkimet për lojtarë cilësorë janë shtrirë në të katër anët e kontinentit. Këto lëvizje do të rrisin cilësinë e grupit dhe do të krijojnë një stol të fortë për kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL