“Buzëqeshin” shqiptarët te Flamurtari, shkak bëhet Moriero para Partizanit
“Buzëqeshin” lojtarët shqiptarë te Flamurtari! Largimi i Garsias hap një faqe të re, Moriero premton meritokraci. Pas javësh ku nuk ka munguar as pakënaqësia në ambientin e skuadrës vlonjate, Flamurtari më në fund duket se ka nisur të marrë frymë lirisht. Largimi i trajnerit spanjoll Karlos Garsia nuk ka sjellë vetëm ndryshime në pankinë, por edhe një ndryshim të dukshëm në atmosferën e brendshme të ekipit.

Një nga grupet më të përfshira në këtë “rilindje” duket se janë futbollistët shqiptarë, të cilët ndiheshin në hije dhe pa hapësira. Garsia shpeshherë linte jashtë formacionit emra me përvojë dhe cilësi, pa dhënë ndonjë sqarim konkret për zgjedhjet e tij. Kjo solli një pakënaqësi të hapur brenda grupit, veçanërisht te lojtarët vendas që ndiheshin të papërfillur në projektin e tij.
Emra si Bruno Telushi, lider i mesfushës vlonjate, Valentino Murataj, Stivian Janku, apo edhe Aldrit Oshafi e Herald Marku e kishin të vështirë të kuptonin pse nuk merrnin minuta në një moment kur skuadra kishte nevojë për energji të re. Edhe Denis Pjeshka dhe Idriz Batha, dy lojtarë me eksperiencë që aktualisht janë në fazë rikuperimi nga dëmtimet, ndienin se nuk ishin pjesë e planeve afatgjata të ish-trajnerit.
MORIERO SJELL MENTALITET TË RI
“Askush nuk ka vend të garantuar, vetëm puna flet.” Trajneri i ri, italiani Françesko Moriero, ka vendosur që të nisë nga e para me një qasje të ndershme dhe transparente. Gjatë javës së parë në krye të ekipit, ai ka qenë shumë aktiv në stërvitje, ka biseduar me secilin prej lojtarëve dhe ka dhënë mesazhe të qarta që kanë ngritur moralin e skuadrës.
Në një takim të zhvilluar me grupin, Moriero është shprehur: “Unë nuk vij këtu me paragjykime apo me mendime të gatshme. Nuk më intereson emri, mosha apo nacionaliteti. Kush punon fort, kush e jep shpirtin në stërvitje dhe në ndeshje, ai do të jetë në fushë. Askush nuk e ka vendin të garantuar. Dua lojtarë të uritur, të përkushtuar dhe me krenari për fanellën që mbajnë veshur. Flamurtari është një emër i madh dhe duhet të përfaqësohet nga më të mirët, jo nga ata që thjesht mbajnë një fanellë.”
Fjalët e Morieros janë pritur me entuziazëm nga grupi, veçanërisht nga futbollistët shqiptarë që ndihen më të motivuar se kurrë. Disa prej tyre e kanë pritur këtë moment. Burime nga brenda klubit bëjnë të ditur se trajneri i ri po i ndjek me vëmendje individualisht disa prej lojtarëve që ishin “nën hije” më parë dhe ka lënë të kuptohet se do të ketë surpriza në formacion që nga ndeshja e radhës me Partizanin.
Ai ka kërkuar disiplinë, besim dhe punë të përditshme, duke theksuar se “nuk ka lojtarë të padiskutueshëm”. Këtë javë kuqezinjtë kanë dy ndeshje, pasi ndryshe nga tetë skuadrat e Superiores, bashkë me Vorën e nisin ediconin e ri të Kupës së Shqipërisë nga turi i parë. Nesër trajneri Moriero debuton në Kupë ndaj Naftëtarit, ndërsa në fundjavë i pret sfida e mbijetesës në kampionat me Partizanin.
RIKTHIMI I KONKURRENCËS
Në një skuadër ku konkurrenca reale ka munguar për shkak të zgjedhjeve të çuditshme teknike, kthimi i barazisë së shanseve është një lajm i mirë për të gjithë. Lojtarët ndihen të vlerësuar dhe të dëgjuar, dhe kjo pritet të ndikojë pozitivisht edhe në performancën e ekipit në fushë.
Në Vlorë po fryn një erë e re, dhe ajo nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e trajnerit, por me një mentalitet të ri, një filozofi të qartë dhe një besim të rikthyer te fuqia e punës dhe meritës. Flamurtari ka nevojë për këtë energji dhe ndoshta, për herë të parë pas 6 javësh, lojtarët shqiptarë mund të buzëqeshin me të drejtë.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













