BISEDA/ Presidenti Xhaferi për ikjen e Grudës nga Vllaznia: Egnatia na premtoi që nuk ka kontakte. Gjithsecili do marrë përsipër çfarë ka bërë në jetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2025 | 20:59

BISEDA/ Presidenti Xhaferi për ikjen e Grudës nga Vllaznia: Egnatia na premtoi që nuk ka kontakte. Gjithsecili do marrë përsipër çfarë ka bërë në jetë

Presidenti Xhaferi ka folur për ikjen e Ildi Grudës nga Vllaznia. Xhaferi tregoi bisedën me lojtarin, por dhe me klubin e Egnatias.

Screenshot 2025-07-07 155854

“Kjo është një çështje që është krijuar një zhurmë e madhe. Është shqetësuar edhe klubi, jo vetëm klubi si strukturë, por edhe vetë lojtarët. Ildi ka qenë pjesë e Vllaznisë dhe ka pas një kontratë 1-vjeçare për të vazhduar te Vllaznisë. Unë jam këtu, përpara përgatitjes së ndeshjes dhe nuk dua t’i futem më tej kësaj çështje sepse kemi dhënë prononcim nëpërmjet drejtorit. Dy fjalë dua të them për Ildin, i kemi ofruar kontratë më të mirë se të Egnatias.

Një fjalë, që kam dëshmitar dhe gjithë ekipin, ishte e Ildi Grudës që tha: “Nuk mund të rri më në Shkodër, dua të iki nga Shkodra”. Nuk i di arsyet e tij, sigurisht që e kemi marrë në fazë për ta pasur edhe në vitin tjetër, për ta programuar në Kupat e Europës. Kjo është e konfirmuar. Nuk i ka munguar asgjë te Vllaznia, përkundrazi ne i kemi dhënë shansin. Ildi ka qenë shumë i dëmtuar, të gjithë e dinë që në periudhën 2-vjeçare ka pasur dëmtime të vazhdueshme. Dhe ne jemi munduar për të bërë më të mirën, akoma nuk e kuptoj vendimin e tij për t’u larguar në atë mënyrë të paprecedentë sepse ishte në fazë përgatitore. I gjithë ekipi është dëshmitar, nuk jam vetëm unë, trajner, drejtori, i gjithë ekipi, që Ildit i jemi lutur për të vazhduar projektin te Vllaznia, sigurisht me kushte më të mira se kishte ofertën tek Egnatia.

Këtu dua të ndalem dhe mos ta vazhdoj më tepër prononcimin se kur lojtari thotë dua të iki nga Shkodra dhe nuk mund të rri në Shkodër, nuk e di arsyen. Atëherë nuk kishim as ne në dorë çfarë mund të bënim më tepër. Kemi edhe një çështje gjyqësore në dyert e Federatës, praktikisht ne e kemi pasur kontratën, është bërë një diçka, ka ndodh online, elektronike që nuk ka shkuar një e-mail. Gabimisht ka mbetur në draft, por kjo nuk do të thotë sepse Ildi i kishte gjithë mundësitë dhe shanset për të vazhduar te Vllaznia.

Në lidhje me Egnatian, ka marrë vendimet e saj, për mua është krijuar një precedent i rrezikshëm në kampionatin shqiptar dhe marrëdhënënien mes skuadrave. Të merret lojtari, duke e ditur sepse Vllaznia mund të dëmtohet në Kupat e Europës nga ikja e një lojtari të tillë. Ato na kanë premtuar dy ditë përpara që nuk kemi kontakte me lojtarin, nuk kemi interes, por fakti ka treguar të kundërtën, mendoj se është veprim i paprecedentë edhe nga ana e Egnatias. Gjithsesi jeta vazhdon, gjithsecili do i marrë përsipër çfarë ka bërë në jetë”, u shpreh Xhaferi ndër të tjera.

PANORAMASPORT.AL