Barazimi me Dinamon, Bylisi synon fitoren e parë të sezonit ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2025 | 19:33

Barazimi me Dinamon, Bylisi synon fitoren e parë të sezonit ndaj Partizanit

Bylisi arriti të marrë pikën e parë jashtë fushe në kampionat, duke barazuar 0-0 me Dinamon, një rezultat që ka rëndësi kryesisht në aspektin moral për skuadrën e trajnerit Mirel Josa. Megjithatë, problemi kryesor i mallakastriotëve mbetet sulmi, pasi Bylisi pati të paktën katër raste të pastra shënimi. Në pjesën e parë, Malomo dhe Ualison nuk arritën të gjenin rrjetën, ndërsa në fraksionin e dytë Peralta dhe Mustafa humbën rastet më ideale për të marrë avantazhin dhe për të siguruar tre pikët.

bylis

Pas katër javësh, Bylisi ka regjistruar tri barazime dhe një humbje, duke mbetur ende pa shijuar fitoren e parë dhe ndodhet në zonën e rrezikut. Në sfidën ndaj Dinamos, skuadra pati mungesa të rëndësishme si Bruno dhe Përgjoni, lojtarë me eksperiencë dhe shtylla të ekipit në këto dy sezone. Mungesat u ndjenë, por trajneri Josa shpreson që të dy lojtarët të jenë gati për sfidën e radhës me Partizanin, ndërsa mungesa e Peraltës, i ndëshkuar me karton të kuq, është e konfirmuar.

Ky duel në Ballsh do të jetë vendimtar dhe trajneri Josa së bashku me stafin duhet të mendojnë sërish për formacionin e parë. Alternativat janë të kufizuara, por stafi shpreson të ketë Bruno dhe Përgjonin të gatshëm për lojë, ndërsa vendin e Peraltës mund ta zërë një tjetër lojtar që do të testohen gjatë ndeshjes kontrolluese mesjavë.

SFIDAT QË VIJNË – Bylisi ka grumbulluar vetëm 3 pikë nga katër ndeshje, pas barazimeve me Tiranën, Flamurtarin dhe Dinamon, dhe një humbjeje ndaj Egnatias në Ballsh. Skuadra kishte shpresuar të grumbullonte të paktën gjysmën e pikëve të mundshme, duke u mbështetur edhe te kalendari i lehtë. Megjithatë, fokusi tashmë është tek sfida me Partizanin, ku Bylisi synon të shijojë fitoren e parë në Ballsh dhe të përfitojë nga situata jo e favorshme e rivalit.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL