AUSTRLIAN OPEN/ Siner tregon muskujt, tenisti italian kalon pa probleme në raundin e tretë
Gjithçka sipas planeve për Janik Sinerin, i cili kontrollon ndeshjen, fiton bindshëm në tre sete 6-1, 6-4, 6-2 ndaj vendësit Xhejms Dakuorth dhe kualifikohet pa shumë vështirësi në raundin e tretë të “Australian Open”.
Tenisti u shfaq shumë i kënaqur, duke e komentuar kështu paraqitjen e djeshme në Melburn: “Çdo ndeshje është shumë e vështirë, ndaj jam vërtet i lumtur që kalova në raundin tjetër. Shërbeva shumë mirë dhe jam i kënaqur me paraqitjen time. E di që Dakuorth ka kaluar shumë operacione kirurgjikale dhe është bukur ta shohësh sërish në fushë në këtë nivel. I uroj gjithë të mirat për pjesën tjetër të sezonit. Faleminderit edhe publikut, e di që jeni australianë si kundërshtari im, por keni qenë shumë korrektë”.
Ndjesitë janë tejet pozitive për 24-vjeçarin nga Sesto Pusteria: “Ndihem vërtet mirë në këtë moment dhe kjo lidhet edhe me mënyrën si shkon ndeshja dhe me sa kohë qëndroj në fushë në një takim zyrtar. Në bazë të kësaj vendosim çfarë të bëjmë në palestër ditën pasuese. Jam i kënaqur me punën që kemi bërë, mendja dhe trupi im janë në gjendje shumë të mirë. Nuk ka mënyrë më të mirë për të nisur sezonin sesa në një turne që për mua është shumë i veçantë. E dimë si shkoi viti i kaluar, tani të shohim çfarë mund të ndodhë këtë herë”. Siner bëri edhe një batutë në lidhje me trajnerin Simone Vanjoci: “Te ‘stop-volley’ me ‘backhand’ duhet të punoj ende, shpesh topi nuk më shkon deri në rrjetë. Do të punoj me Simonen, që ka duar fantastike, edhe pse u eliminua menjëherë në ‘Million Dollar 1 Point Slam’.
Jam i kënaqur me nivelin ku ndodhem, por si gjithmonë përpiqemi të shtyjmë më fort dhe të arrijmë diçka më shumë. ‘Stop-volley’ më i mirë? Pa dyshim ai i Alkarazit, por ka shumë talente, përfshirë edhe kundërshtarin tim të raundit të parë, Gaston”. Mendja është tashmë te sfida e raundit të tretë ndaj amerikanit Eliot Spizirri: “E kam vëzhguar, edhe vitin e kaluar. Do të përballem me një lojtar shumë agresiv dhe me shërbim shumë të fortë. E pashë të luante edhe sot në fushat anësore, në kushte me shumë erë. Nuk e njoh shumë mirë, nuk kemi luajtur kurrë kundër njëri-tjetrit, por do të përgatitemi në mënyrën më të mirë”, përfundoi numri 2 i botës, i cili është fitues në dy edicionet e fundit në “Australian Open”.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













