Artan Jazxhi: Kthesa vjen nesër, Teuta rikthen rezultatet pozitive
Teuta është e dënuar të mundë Laçin, pasi kërkon me çdo kusht të bëjë reflektim pas ndeshjes ndaj Dinamos. Mbrojtësi i Teutës, Artan Jazxhi, në një intervistë për “Panorama Sport”, para ndeshjes së javës së 34-të ndaj Bylisit, u shfaq optimist, teksa theksoi se është momenti për të dhënë maksimumin në këto ndeshje që kanë mbetur.
Si mendoni të arrini tri pikët që ju duhen aq shumë?
Shpresoj që çështjen e fitoreve ta zgjidhim të shtunën. Kemi punuar fort gjatë këtyre ditëve, kemi punuar shumë, sidomos në daljet e shpejta dhe goditjet në portë. Është vetëm një moment psikologjik dhe nesër detyrimi ynë është vetëm të fitojmë ndeshjen. Na mungon rezultati, prandaj do ta quaja kthesën fitoren e nesërme. Djemtë kanë luajtur çdo ndeshje mjaft mirë, kemi bërë pothuajse mirë në çdo ndeshje që kemi luajtur. Fati nuk ka qenë me ne, por mendoj se kthesa nesër do të vijë patjetër.
A jeni të rënduar psikologjikisht?
Nuk e shoh të rënduar psikologjikisht ekipin. Normalisht që rezultatet na vendosin përpara përgjegjësie, por djemtë e kuptojnë dhe tregojnë dëshirë çdo ditë e më shumë në stërvitje. Ekipi punon edhe me më shumë dëshirë, pasi e shohin që kanë luajtur mirë, pavarësisht rezultateve që nuk i kemi pasur të mira. Së bashku me mua, kemi besim se do t’ia dalim dhe do të rikthejmë rezultatet pozitive te Teuta.
Po shënoni rregullisht, por skuadra pëson edhe shumë gola. Si ndikon?
Ne mbrojmë dhe sulmojmë të gjithë, nuk dua të fajësoj askënd për mungesën e golave. Nuk është defekt i vetëm një reparti, kemi pësuar shumë në mbrojtje, por kjo vjen edhe nga mungesat. Në shumë javë nuk kemi qenë kurrë të plotë. Gjithë ekipi duhet të zhbllokojë rezultatin dhe të mbrojë së bashku.
Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Laçit?
Normalisht që është një sfidë e vështirë, por për ne është ndeshja e radhës. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet, sepse ne kemi si synim të fitojmë këtë duel dhe shpresoj që t’ia dalim mbanë.
Z. QYPI-PANORAMASPORT.AL













