“Arena e Demave” drejt transformimit të plotë, kompleksi i Partizanit gati në dhjetor
Partizani ka nisur një nga projektet më të rëndësishme të viteve të fundit sa i përket infrastrukturës së klubit.
Drejtuesit e të kuqve kanë vendosur të investojnë në rinovimin e terreneve sportive, me synimin për t’i dhënë kompleksit një standard të ri dhe për të krijuar kushte më të mira si për ekipin e parë, ashtu edhe për akademinë. Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me stadiumin “Arena e Demave”, ku ka nisur puna për zëvendësimin e tapetit aktual. Duke filluar nga sezoni i ardhshëm, Partizani pritet të luajë në një fushë me sistem hibrid, që kombinon barin natyral me atë artificial. Sipas planit të hartuar, terreni i ri pritet të jetë gati gjatë muajit shtator.
INVESTIMI- Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm për klubin, pasi fusha është elementi kryesor mbi të cilin ndërtohet puna e përditshme e skuadrës. Kushtet reja pritet të krijojnë mundësi më të mira për zhvillimin e lojës dhe për t’u përshtatur me kërkesat e futbollit modern. Për futbollistët e Partizanit, kalimi në një sistem hibrid mund të sjellë përfitime të rëndësishme në aspektin sportiv. Një terren më cilësor pritet t’i ndihmojë lojtarët të shprehen më mirë teknikisht dhe të kenë më shumë komoditet gjatë ndeshjeve dhe seancave stërvitore. Po ashtu, një nga pritshmëritë lidhet edhe me aspektin fizik. Gjatë sezonit të fundit, Partizani u përball me një numër të konsiderueshëm dëmtimesh, ndërsa disa prej futbollistëve kryesorë munguan për periudha të gjata. Emra si Marcelino Preka, Albion Marku, Xhuljano Skuka, Albers Keko, Arinaldo Rrapaj në periudha të mëparshme, Atanaskoski apo Dumbia u përballën me probleme të ndryshme fizike, duke ndikuar në vazhdimësinë e skuadrës gjatë kampionatit. Për këtë arsye, përmirësimi i kushteve të terrenit shihet edhe si një investim që mund të ndikojë pozitivisht në reduktimin e ngarkesës fizike dhe në shmangien e disa problematikave që lidhen me dëmtimet.
KOMPLEKSI- Megjithatë, projekti i Partizanit nuk kufizohet vetëm te fusha kryesore e stadiumit. Drejtuesit kanë planifikuar një ndërhyrje më të gjerë në të gjithë kompleksin sportiv. Sipas planit të klubit, do të ndërtohen edhe dy terrene të reja, të cilat do të përdoren si nga ekipi i parë, ashtu edhe nga akademia. Kjo do të rrisë ndjeshëm hapësirat në dispozicion të klubit dhe do të krijojë kushte më të mira për procesin stërvitor. Akademia e Partizanit ka fituar rëndësi të madhe vitet e fundit dhe ndërtimi i terreneve të reja konsiderohet një investim afatgjatë për zhvillimin e talenteve të rinj. Ndërkohë, gjatë periudhës së punimeve, klubi do të detyrohet të bëjë disa ndryshime në organizimin e përditshëm. Ekipet zinxhir të akademisë pritet të zhvillojnë stërvitjet në Kamzë deri në përfundimin e projektit.
ZHVENDOSJET- Nga ana tjetër, skuadra e parë do të zhvendoset përkohësisht në ambientet e kompleksit të FSHF-së për të vijuar përgatitjet e saj. Kjo situatë do të zgjasë deri në momentin kur terrenet e reja të jenë gati për përdorim. Sipas parashikimeve, e gjithë paketa e investimeve pritet të përfundojë në muajin dhjetor. Paralelisht me punimet, drejtuesit po punojnë edhe për organizimin e fazës përgatitore të verës. Ende nuk është marrë një vendim përfundimtar mbi vendin ku do të zhvillohet grumbullimi para fillimit të kampionatit të ri. Megjithatë, prioritet mbetet përgatitja sa më e mirë e skuadrës për sezonin e ardhshëm, ndërsa infrastruktura e re pritet të jetë një mbështetje e rëndësishme për objektivat sportive të klubit. Transformimi i kompleksit nuk ka vetëm rëndësi për Partizanin. Stadiumi “Arena e Demave” do të jetë një nga impiantet që do të përdoren gjatë Kampionatit Europian U-21, i cili do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi gjatë verës së ardhshme.
INVESTIMET NË FUNKSION EDHE TË EUROPIANIT PËR VERËN E ARDHSHME Pikërisht për këtë arsye, investimet po realizohen edhe në funksion të standardeve që kërkon UEFA për organizimin e një aktiviteti të këtij niveli. Për klubin kryeqytetas, ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë institucional. Një kompleks më modern do të thotë më shumë mundësi për zhvillimin e ekipit të parë, për rritjen e cilësisë së akademisë dhe për përmirësimin e kushteve të punës në çdo nivel. Nëse gjithçka do të ecë sipas planit të parashikuar, Partizani pritet ta nisë vitin 2027 me një infrastrukturë të transformuar ndjeshëm. Fusha hibride, terrenet e reja stërvitore dhe investimet në kompleks do t’i japin klubit një pamje krejt tjetër nga ajo e viteve të fundit. Kështu, përveç përgatitjeve për sezonin e ri, të kuqtë po punojnë paralelisht edhe për të ndërtuar bazat e një projekti afatgjatë, ku infrastruktura shihet si një nga elementet kryesore për zhvillimin e klubit në të ardhmen.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













