Anti-Laçi, te Tirana dilema është Ermal Meta
Tirana do të luajë sot në Durrës ndaj Laçit, në një sfidë që nis në orën 16:30, ndërsa grupi bardheblu parashikohet që të mos jetë i plotë.

Abel Abah do ta shohë sfidën nga tribuna, pasi është i dëmtuar dhe nuk do të jetë i gatshëm për këtë përballje. Futbollisti prej javësh vuan një lëndim në gju, që nuk e lë të stërvitet, madje afrikani rrezikon që të mos jetë me ekipin, deri në fund të marsit.
Problemi tjetër i Bledi Shkëmbit, quhet Ermal Meta. Mbrojtësi dje ka qenë në terapi, pasi ka një shqetësim muskulor. Ai, madje gjatë seancës së djeshme, nuk u stërvit fare, duke prishur të gjitha planet e trajnerit, i cili, nëse verifikon mungesën e mbrojtësit, duhet të ndryshojë formacionin. Gjithsesi, për Ermalin do të pritet deri në sekondën e fundit për të vendosur nëse do të jetë i grumbulluar apo jo në këtë sfidë.
FORMACIONI – Plani i parë i Bledi Shkëmbit për këtë ndeshje ishte me Selmanin, më pas, Meta, Dembele, Kola. Në mesfushë, Vera, Marku, Soler, Rafael dhe Përgjoni e në sulm dyshja ErnestZharmuni. Do të luhej me 3-5-2. Në mungesë të Metës mund të ketë një spostim të Markut në mbrojtje dhe në mesfushë të luajë Smaçi.
Një opsion është edhe kalimi me katër në mbrojtje. Kështu, veç Selmanit të luajnë Vera, Kola, Dembele dhe Përgjoni. Mesfusha me Ndreca djathtas, në qendër Soler e Rafael, ndërsa majtas do të rreshtohet Prengaj. Në sulm dyshja ErnestZharmuni. Po kështu, me ekipin do të jetë i grumbulluar dhe do të qëndrojë në stol, Rimal Haxhiu. Lojtari ka vuajtur një dëmtim të gjatë dhe vetëm këtë javë ka mundur të stërvitet me ngarkesë të plotë.
PANORAMASPORT.AL













