ANALIZA/ Afrimet pa ndikim, janari e “shëmtoi” Partizanin! Të ardhurit ngrohin stolin… (E PLOTË)
Janari ka rezultuar të jetë shkatërrues për Partizanin, sa i përket aspektit sportiv, sepse në anën tjetër financat “lulëzuan”.
Në një bilanc të thjeshtë të mbështetur tek ajo që ka ndodhur në fushën e blertë dhe numrat që janë prodhuar, rezulton se merkatoja e janarit e pa Partizanin t’i ulet shumë ndjeshëm cilësia, aq sa, pas rezultateve të dobëta, gjithçka rreth sezonit është vënë në rrezik.
LARGIMET – Largimet e Rrapajt, Carës, Mbasë dhe Hadrojt kanë shkaktuar një boshllëk gjigant në skuadër, veçanërisht në repartin e sulmit. Skuadra nuk ka guximin dhe cilësinë për të dominuar dhe shkuar te goli në mënyrë organike.
Kjo ndikon edhe te mungesa e qetësisë në mbrojtje, repart që së fundmi ka vuajtur shumë pasigurinë dhe ka bërë gabime të njëpasnjëshme. Me këtë skuadër dhe me këto paraqitje Partizani duhet ta konsiderojë si sukses kualifikimin në Europë. Megjithatë, duhet thënë se, përderisa ka fituar gjysmëfinalen e parë të Kupës kundër Egnatias dhe është ende i katërti, shanset për tituj ekzistojnë. Ama, pretendimet nuk përputhen me cilësinë e shfaqur.
AFRIMET – Në një situatë kur 11-shja titullare u përgjysmua, Partizani ishte i detyruar të hynte në merkato për të sjellë jo vetëm cilësi, por edhe sasi. Rezultoi të ishte vetëm kjo e fundit. Siç e shihni në tabelë, shifrat flasin për lojtarë që luajnë nga stoli ose fare dhe që nuk kanë asnjë ndikim në skuadër. Përjashtimet e vetme janë Podstrelov dhe Eleke, me këtë të fundit që duket lojtar kalibri, por nuk ka formë dhe deri tani ndihmon vetëm ne momente episodike. Në ndeshjen e nisur si titullar kundër Egnatias, ishte tërësisht në hije, pasi nuk e përballoi fizikisht. Podstrelov përpiqet, por nuk po flasim për një lojtar që bën diferencën. Duket larg nivelit të Carës.
TË TJERËT – E vërtetë që afrimet nuk kanë bindur, por pesha duhet të bjerë edhe te lojtarët që deri dje luanin si zëvendësues dhe më pas u bënë titullarë. Asnjëri prej tyre nuk ka arritur të zëvendësojë të larguarit. Gropa më e madhe duket tek intensiteti që dyshja Cara-Rrapaj bënin së bashku dhe arrinin të zgjidhnin ndeshjet falë aftësive të tyre. Asnjë futbollist, ku mund të përmendim Janjevën, Osmanllarin, Ismailin, Mehmetin apo Kekon, nuk ka arritur të ngjitet në nivel të kënaqshëm dhe të bëjë që të mos ndihen të larguarit.
ZBULUAR NË DERBI – Ndeshja me Tiranën është një betejë që kërkon lojtarë me mentalitet dhe cilësi. Në atë ndeshje, të kuqtë ishin “të fikur” dhe në asnjë moment nuk u barazuan me atë çka paraqiti kundërshtari. Ndoshta qëndron argumenti se ndaj Laçit dhe Egnatias një pjesë të madhe të meritës e kishte edhe fati, me dy gola të shënuar, njëri me të pasme dhe tjetri me penallti.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













