Aleksi iu përgjigjet kritikëve: Lojtarët e mirë e tregojnë veten në çdo ndeshje, sinjal për këta që flasin lart e poshtë!
Mesfushori Alban Aleksi u zgjodh “Lojtari i Ndeshjes” me Partizanin. Pas fitores ai u shpreh se është i rëndësishëm për Egnatian dhe e tregon në çdo ndeshje në fushë.

“Mendoj se jam përshtatur shumë mirë me taktikën e profesorit dhe taktikat që ai ndryshon sa herë, e rëndësishme është që e kuptojmë mirë njëri-tjetrin dhe unë mundohem të bëj gjithmonë më të mirën që të ndihmoj ekipin dhe lojtarët që janë më të rinj që të arrijnë sa më shpejt taktikat e ekipit tonë. Kështu që për mua është e thjeshtë pavarësisht se ndonjëherë mund të jetë e vështirë jashtë fushe sepse grupi duhet mbajtur jashtë fushe se brenda të gjithë e mbajnë, besoj deri tani ja kam arritur shumë mirë.
Dua të them se lojtarët e mirë, nuk dalin vetëm atëherë kur del formacioni i vitit, por lojtarët e mirë e tregojnë në çdo ndeshje, sa për tju dhënë sinjal edhe këtyre që flasin lart e poshtë, por e rëndësishme është që ta tregosh në fushë, dhe të fitosh në fushën e Egnatias, duhet të derdhësh shumë djersë sepse e dimë që për momentin jemi kampionët e Shqipërisë dhe do përpiqemi të bëjmë maksimumin që me kismet të arrijmë qëllimet që kemi.
E rëndësishme është që lojtarët e Egnatias, sidomos të rinjtë që të jenë sa më shumë, unë përpiqem sa më shumë në çdo ndeshje që ata të dalin lojtarët e ndeshjes. Përsa i përket taktikave dhe manovrave të profesorit besoj të gjithë e dimë sa i rëndësishëm është Aleksi dhe çdo lojtar i Egnatias, gjithsecili bën punën e vet dhe fusha tregon se kush është më i miri”, përfundoi Aleksi për “RTSH Sport”.
PANORAMASPORT.AL













