Alarm te Flamurtari, dëmtime dhe mungesa në prag të Elbasanit/ Kuqezinjtë “luten” për kapitenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2026 | 23:19

Alarm te Flamurtari, dëmtime dhe mungesa në prag të Elbasanit/ Kuqezinjtë “luten” për kapitenin

Dëmtimet kanë ni sur të bëhen një problem serioz për Flamurtarin në këtë fazë të kampionatit. Stafi teknik dhe drejtuesit e klubit vlonjat janë në pritje të lajmeve për gjendjen e kapitenit Lorenc Trashi, i cili u dëmtua në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë, të zhvilluar në Vlorë. Episodi ndodhi në minutën e 36-të, vetëm pak çaste pasi Trashi kishte dhënë asistin për golin e shënuar nga Bolzan.

FLAMURTARI

Në një duel për topin, sulmuesi Bismark ndërhyri ashpër ndaj kapitenit vlonjat, duke detyruar arbitrin të nxirrte kartonin e kuq për lojtarin e Vllaznisë. Ndërhyrja ishte e fortë dhe për disa momente u mendua se dëmtimi mund të ishte serioz. Megjithatë, pavarësisht goditjes, Trashi vendosi të vazhdojë lojën dhe e përfundoi ndeshjen në fushë, edhe pse në disa momente u pa qartë se çalonte. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se kapiteni i Flamurtarit do t’i nënshtrohet një rezonance magnetike për të përcaktuar saktësisht shkallën e dëmtimit.

Për momentin sinjalet janë relativisht pozitive dhe nuk duket të ketë një problem serioz, por gjithçka do të qartësohet pas ekzaminimit mjekësor. Stafi teknik shpreson që Trashi të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit, e cila do të luhet të shtunën në Vlorë. Një shenjë inkurajuese është se gjatë ditëve të fundit lojtari nuk ka ndjerë dhimbje të forta, çka rrit optimizmin për rikuperimin e tij dhe gatishmërinë për “finalen” e Elbasanit.

Mungesa të rëndësishme

Sfida ndaj Elbasanit konsiderohet shumë e rëndësishme për Flamurtarin, që aktualisht ndodhet në vendin e parafundit të renditjes dhe ka nevojë jetike për pikë. Megjithatë, skuadra pritet të përballet me disa mungesa të rëndësishme. Pas largimit të trajnerit Françesko Moriero dhe marrjes së drejtimit nga Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj, atmosfera në skuadër është qetësuar disi. Gjithsesi, për ndeshjen e së shtunës Flamurtari pritet të ketë të paktën tri mungesa të sigurta.

Denis Pjeshka nuk do të jetë i gatshëm për të luajtur nga minuta e parë për shkak të një dëmtimi në gishtin e madh të këmbës, që e ka penguar të stërvitet normalisht. Ai pritet të jetë në stol dhe mund të aktivizohet vetëm nëse situata e ndeshjes e kërkon. Të njëjtin problem ka edhe qendërmbrojtësi grek Dimitris Çantakias, i cili gjithashtu vuan nga një dëmtim në gishtin e madh të këmbës dhe nuk pritet të jetë në dispozicion për sfidën ndaj Elbasanit, duke krijuar vështirësi në repartin e mbrojtjes.

Ndërkohë, një mungesë tjetër e rëndësishme është ajo e Bangali Diavara. Mesfushori është pezulluar për këtë javë pas plotësimit të numrit katër të kartonëve të verdhë, të fundit të marrë në ndeshjen kundër Vllaznisë. Në këto kushte, Flamurtari do të duhet të përballet me një formacion të cunguar në një ndeshje që mund të jetë vendimtare për ecurinë e sezonit. Stafi teknik shpreson që skuadra të reagojë dhe të arrijë një rezultat pozitiv përpara tifozëve vlonjatë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL