Alarm në Korçë! Skënderbeu ka edhe tifozët kundër, me Besën provë force dhe mundësi për marshimin drejt Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2026 | 11:04

Alarm në Korçë! Skënderbeu ka edhe tifozët kundër, me Besën provë force dhe mundësi për marshimin drejt Superiores

Para sfidës me Korabin, klubi korçar bëri një thirrje të rrallë për tifozët, duke kërkuar mbështetje maksimale për “7 finalet” e mbetura drejt rikthimit në elitë.

skenderbeu

Por prova e parë rezultoi zhgënjyese, një barazim pa gola ndaj dibranëve, që jo vetëm frenoi ekipin, por ndezi edhe sinjalet e para të alarmit në Korçë. Ky hap fals i ka dhënë mundësi Laçit të afrohet ndjeshëm, me kurbinasit që janë në një formë të frikshme, duke regjistruar vetëm fitore në 13 javët e fundit. Nga ana tjetër, edhe Pogradeci mbetet një kërcënim serioz, vetëm 6 pikë larg, kur sezoni po hyn në fazën më vendimtare. Skënderbeu ishte mësuar të fitonte ndeshjet në minutat e fundit, madje edhe në shtesa, por këtë herë “receta” nuk funksionoi.

Përkundrazi, barazimi me Korabin ka rikthyer pasigurinë dhe frikën në kampin korçar, ndërsa tifozët, të cilët u thirrën për mbështetje, kanë nisur të shprehin hapur pakënaqësinë e tyre si në qytet, por edhe në rrjetet sociale. Forma e dobët në javët e fundit ka sjellë reagime të shumta. Tifozët kritikojnë faktin se skuadra nuk po bind në lojë dhe se rezultatet kanë ardhur shpesh me vështirësi, apo edhe me fat. Sipas tyre, rënia e formës duhej të ishte evidentuar më herët nga stafi teknik, sidomos duke parë ritmin e rivalëve direkt. Shqetësimet lidhen me disa faktorë: Mungesë mobilizimi, rënie fizike dhe madje edhe tensione të mundshme brenda skuadrës.

Në këtë situatë, kërkohet një reagim i menjëhershëm nga drejtuesit për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm. Në qendër të kritikave është vendosur edhe trajneri, për të cilin një pjesë e tifozëve mendojnë se skuadra nuk ka më qartësi në lojë dhe mungon ideja në ndërtimin e aksioneve. Ka edhe zëra që kërkojnë ndryshim në stol. Megjithatë, nuk mungojnë as ata që bëjnë thirrje për qetësi dhe unitet, duke theksuar se në këtë moment delikat ekipi ka nevojë për mbështetje morale.

Frika më e madhe mbetet humbja e vendit të parë dhe rrëshqitja në renditje, pikërisht në një moment kur çdo pikë ka peshë të madhe. Tashmë, gjithçka mbetet për t’u parë në ndeshjet e mbetura. A do të reagojë Skënderbeu për të rikthyer besimin dhe rezultatet, apo kriza do të thellohet edhe më tej? Përgjigja e parë e kësaj pyetje pritet që të merret të dielën, ku bardhekuqtë luajnë në transfertë ndaj Besës.

PANORAMASPORT.AL